30.10.2023
Trençevska: Misioni ynë si Ministri është të qëndrojmë besnikë ndaj detyrave tona për t'iu përgjigjur nevojave të emigrantëve
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, mbajti fjalim në ngjarjen përmbyllëse të projektit të përbashkët të Kombeve të Bashkuara "Planifikimi dhe diskursi mbi politikat migratore të bazuara në dëshmi në Maqedoninë e Veriut".
Trençevska në fillim të fjalës së saj theksoi bashkëpunimin e mëparshëm me organizatat ndërkombëtare dhe theksoi se komunikimi i vazhdueshëm me to dhe aktivitetet e realizuara kontribuojnë në cilësi më të lartë të jetës dhe përgjigje adekuate ndaj nevojave të migrantëve.
“Misioni ynë si Ministri është t'i qëndrojmë besnike detyrave tona për t'iu përgjigjur nevojave të emigrantëve. Si qeveri solidare dhe e drejtë, ne vazhdojmë të punojmë në projekte të përbashkëta me Kombet e Bashkuara drejt pritjes dhe trajtimit më të mirë të migrantëve në vendin tonë”, tha Trençevska.
Ajo theksoi punën e ministrisë në drejtim të përforcimit të reagimit ndaj sfidës me emigrantët.
“Ne morëm pjesë aktive në zhvillimin e Rezolutës më të fundit për Politikën e Migracionit 2021-2025, e cila u miratua nga Kuvendi në dhjetor 2021; në ofrimin e informacionit dhe të dhënave përkatëse për profilin e migracionit të Maqedonisë së Veriut 2021 dhe Indeksin e Menaxhimit të Migracionit 2021. Me kërkesën tonë, në vitin 2021 janë përgatitur “Propozimi për ndryshime dhe plotësime në Rregulloren për standardet e pritjes së azilkërkuesve” dhe “Doracak për mënyrën e zbatimit të programit për integrimin e personave me azil”. Rregullorja e rishikuar synon të përforcojë bashkëpunimin ndërsektorial ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Trençevska.
Trençevska në fund të fjalës së saj theksoi se puna e përkushtuar me organizatat ndërkombëtare vazhdon edhe më tej.