25.02.2023

Trençevska: Përmes rritjes së vazhdueshme të pensioneve dhe prezantimit të shërbimeve sociale, ne përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, në emisionin Treto Doba në RTM , bisedoi për politikat dhe masat që Qeveria dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale i krijojnë dhe i realizojnë për përmirësimin e cilësisë së jetës së kategorive të rrezikuara të qytetarëve, duke përfshirë edhe qytetarët e moshuar.

“Ndërtimi i zgjidhjeve të sistemit që do të sjellë rezultate afatgjata është angazhimi ynë. Kemi themeluar një metodologji të re për harmonizimin e pensioneve, e cila i ndjek dy treguesit, respektivisht rritjen e pagës mesatare dhe rritjen e kostos së jetesës. Ky barazim do të bëhet dy herë në vit dhe kjo nënkupton rritje konstante të pensioneve”, tha Trençevska.

Ministrja theksoi se për një vit pensionet u rritën për 16% dhe me harmonizimin e muajit mars do të jenë mbi 20%.

Ajo foli edhe për ndihmën financiare që kanë marrë 330.000 pensionistë, si pjesë e masave antikrizë, përkatësisht kanë marrë nga 1000 denarë për muajt mars, prill dhe maj ose gjithsej 3000 denarë.

“Pensionistët me pensione më të ulëta se 14.000 denarë janë pjesë e pakos së dytë të masave antikrizë sipas Ligjit për mbështetje financiare të kategorive të cenueshme të qytetarëve për përballimin më të lehtë të krizës energjetike. Njëkohësisht, pensionistët me pensione deri në 11.525 denarë marrin 1500 denarë për 4 muaj, ndërsa pensionistët me pensione nga 11.526 deri në 14.000 denarë marrin nga 750 denarë”, informoi Trençevska.

Ajo vuri në dukje se mbi 600 të moshuar shfrytëzojnë shërbimin e ndihmës dhe kujdesit në shtëpi, si pjesë e masave të ndërmarra nga ministria së bashku me pushtetin lokal dhe ofruesit e shërbimeve. Përfitimi është i dyfishtë dhe si ofrues të shërbimeve përfshihen mbi 250 gra kryesisht , të cilat e kanë  të vështirë për t'u punësuar dhe me këtë shërbim i aktivizojmë në tregun e punës. Shërbimi i ndihmës dhe kujdesit në shtëpi filloi të zbatohet si pjesë e Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale me mbështetjen e Bankës Botërore dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e tyre, ato vazhdojnë të financohen nga ministria përmes kontratave menaxheriale.

Në vendin tonë ekzistojnë 5 shtëpi komunale për të moshuarit dhe kapaciteti akomodues është mbi 1000 persona. Përveç atyre komunale, ajo për të cilën ka kompetencë MPPS-ja është edhe mbikëqyrja e ndërtimit dhe funksionimit të objekteve private, të cilat janë rreth 40 shtëpi. Ministrja u bëri thirrje komunave që të aplikojnë me ide për projekte për shtëpitë e të moshuarve, investime kapitale në të cilat mund të investojë edhe MPPS. Përveç Berovës, aktualisht në ndërtim e sipër është edhe shtëpia në Probishtip.

Për sa i përket shëndetit mendor, ministrja theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit për këtë çështje si për të moshuarit ashtu edhe për të rinjtë. Prandaj, në periudhën në vijim, përmes mundësive dhe shërbimeve të ndryshme do të përfshihen në aktivitete që synojnë përmirësimin e shëndetit të tyre. Për këtë qëllim janë hapur disa qendra për plakjen aktive dhe janë planifikuar hapje të reja. Viti 2023 do të jetë viti i dedikuar për shëndetin mendor.

Ministrja foli edhe për praninë e dhunës në shoqërinë tonë. Ajo theksoi se dhuna duhet denoncuar dhe askush nuk duhet të ketë frikë nga reagimi i mjedisit.

“Dhuna e raportuar me kohë mund të parandalojë pasoja fatale”, theksoi Trençevska

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.