16.02.2023

Banorët e lagjes Volkovë për herë të parë bëhen me kopsht i cili ka kapacitet për 150 fëmijë, investojmë në kujdesin e fëmijëve

Fëmijët deri në moshën gjashtë vjeçare nga Volkova, Komuna Gjorçe Petrov, përfitojnë shërbime sociale cilësore për zhvillimin e hershëm të fëmijërisë në një kopsht të ri që u ndërtua për herë të parë në vendbanimin e tyre. Kopshti “Sonce” është hapur sot zyrtarisht dhe nga data 20 shkurt do të mirëpresë fëmijët e parë.

“Ndërtuam edhe një objekt , një kopsht , i cili besoj se do të sjellë buzëqeshjen e shumë fëmijëve. Me kopshtin e ri “Sonce” po zgjidhim një problem shumëdekadash për qytetarët e kësaj pjese të qytetit. Kujdesi për fëmijët tanë është prioriteti ynë kryesor. Ne sigurojmë vazhdimësi në plan me realizimin e kopshteve të reja apo me rindërtimin e atyre ekzistuese.Nga viti 2017 deri më sot kemi hapur 75 kopshte duke përfshirë  5.500 fëmijë dhe së bashku me këtë kopsht të ri po e rrumbullakojmë numrin në gjithsej 76 kopshte , të cilat kanë kapacitet për kujdesin e 5.650 fëmijëve”, potencoi kryeministri Kovaçevski në fjalën e tij para të pranishmëve, duke falënderuar për mbështetjen Bankën Botërore në realizimin e ndërtimit të kopshtit.

Duke numëruar masat e Qeverisë, kryeministri theksoi se pagat e punonjësve në institucionet publike për edukim dhe arsim parashkollor janë rritur në periudhën e kaluar dhe është paralajmëruar rritje e re.

“Nuk harruam të përfshirët në procesin edukativo-arsimor, edukatoret, përkëdhelëset. Nga viti 2017 e deri më tani, ofruesit e shërbimeve, edukatoret dhe kujdestarët në kopshte kanë marrë rreth 36% pagë më të lartë. Me rregullimin e ri në mars, kjo përqindje do të arrijë diku mes 45-50% rritje totale për 5 vitet e fundit, theksoi në fjalën e tij kryeministri Kovaçevski.

“Investimi në kushte infrastrukturore cilësore dhe zgjerimi i objekteve të kujdesit ndaj fëmijëve është qëllimi ynë kryesor dhe hapi i parë në ofrimin e mundësive për zhvillim cilësor të fëmijërisë së hershme, e me këtë edhe në zgjidhjen e problemit të prindërve në kujdesin ndaj fëmijëve të tyre. Nga viti 2017 e deri më tani, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Qeveria kanë investuar në ndërtimin dhe zgjerimin e gjithsej 75 kopshteve në të gjithë vendin, përfshirë edhe këtë kopsht. Është treguesi më i mirë i angazhimit tonë për të investuar në zhvillimin e fëmijëve si investimi më i mirë për të ardhmen e vendit. Me fjalë të tjera, nuk mund të flasim për zhvillim dhe prosperitet të vendit derisa të investojmë në kujdesin e fëmijëve që nga mosha e hershme”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

Në ndërtimin dhe pajisjen e kopshtit janë investuar afër 103 milionë denarë. Ky është i nënti nga gjithsej 16 kopshte të ofruara nga Komponenti 2 i Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale që zbatohet nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, me mbështetjen e Bankës Botërore.

“Investimi në arsimin parashkollor dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme sjell përfitime të mëdha për fëmijët dhe shoqërinë në tërësi. Katër dollarë të investuar sot kthehen si 16 dollarë në të ardhmen. Investimi i fondeve publike për t'u dhënë fëmijëve akses në një mjedis mësimor stimulues, tërheqës, gjithëpërfshirës dhe argëtues janë paratë e taksapaguesve të shpenzuara mirë. Ne në Bankën Botërore kemi kënaqësinë të mbështesim vendin në përpjekjet e tij për të rritur numrin e vendeve të disponueshme të kopshteve për fëmijët në të gjithë vendin, duke përmirësuar cilësinë e arsimit që u ofrohet atyre. Jemi të kënaqur me zbatimin e këtyre përpjekjeve deri më tani, si dhe me nivelin e bashkëpunimit që është vendosur ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale.

Puna për të përmirësuar standardet e kapitalit njerëzor në Maqedoninë e Veriut është një përgjegjësi e përbashkët dhe përfitim kolektiv, i cili kërkon një vizion të përbashkët dhe përpjekje për të bërë më shumë dhe më mirë për mirëqenien e vendit dhe qytetarëve të tij", tha Masimiliano Paoluçi, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Në ndërtimin e përgjithshëm financiar për kopshtin e ri ka marrë pjesë edhe komuna e Gjorçe Petrovit, e cila nga buxheti komunal ka ndarë afër 10 milionë denarë, të cilat janë investuar në punët e ndërtimit. Me këtë rast, kryetari i komunës së Gjorçe Petrovit, Aleksandar Stojkovski, tha: “Me hapjen e kopshtit “Soncës” e kemi ulur dukshëm numrin e fëmijëve që presin me vite në listat e regjistrimit. Ne po zgjidhim probleme dekadash në fushën e përkujdesjes dhe procesit arsimor për banorët tanë të vegjël. Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive për këtë problem dhe vazhdojmë me aktivitetet në drejtim të eliminimit të plotë të këtij problemi”.

Ky kopsht, së bashku me të tjerët që po ndërtohen në të gjithë vendin, janë pjesë e reformës gjithëpërfshirëse sociale të Qeverisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Një nga synimet e kësaj reforme është rritja e përfshirjes së fëmijëve në sistemin arsimor parashkollor, në nivelin 60% deri në vitin 2024, duke hapur gjithsej 7500 vende të reja për pranimin e fëmijëve.

Kopshti në Volkovë është ndërtuar sipas standardeve më moderne arkitekturore që sigurojnë qëndrim të sigurt për fëmijët dhe mësim efektiv përmes lojës. Karakteristikë e këtij kopshti është atriumi i madh rrethor me gjelbërim, si dhe këndi i lojërave në natyrë i projektuar posaçërisht, në ndërtimin e të cilit janë përdorur materiale vendase dhe mundëson lojë të shkujdesur. Konstruksioni i çatisë së ndërtesës është projektuar në mënyrë të tillë që të hapë mundësinë për një çati të gjelbër në të ardhmen, si një përmirësim i efikasitetit të lartë energjetik të ndërtesës. Objekti është i ndërtuar nga materiale ekologjike dhe me efikasitet energjetik dhe përdoret një sistem i kombinuar ngrohje-ftohje me pompa nxehtësie, si dhe një sistem për përgatitjen qendrore të ujit të nxehtë, i cili në të ardhmen mund të lidhet me fotovoltaikë. Zgjidhja e marrë arkitekturore e këtij kopshti është fitues i çmimit vjetor për veprën arkitekturore të realizuar më me sukses që ndahet nga Shoqata e Arkitektëve.

Përveç kujdesit dhe zhvillimit cilësor në fëmijërinë e hershme, hapja e kopshtit në Volkovë bëri të mundur krijimin e vendeve të reja të punës për stafin që do të kujdeset për fëmijët dhe funksionimin e tij. Në çerdhen e re për momentin janë të punësuar 18 persona, shumica e të cilëve do të përfshihen drejtpërdrejt në procesin edukativo-arsimor, informoi Daniela Temelkova, drejtoreshë e çerdhes “Rosica” në komunën e Gjorçe Petrovit, në përbërje të së cilës do të fillojë të punojë kopshti i ri Volkovë.

Komponenti 2 i Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale, në kuadër të të cilit po zbatohet ndërtimi i këtij kopshti, synon rritjen e aksesit në shërbime cilësore për zhvillimin e fëmijërisë së hershme, duke përmirësuar shërbimet e edukimit parashkollor, duke rritur aksesin në cilësi dhe  mjedise efikase parashkollore dhe ofrimin e mundësive më të mira për të mësuar dhe arsimuar, të përshtatshme për moshën e fëmijëve. Në kuadër të këtij komponenti kryhen aktivitete për rritjen e cilësisë së shërbimeve në institucionet parashkollore nëpërmjet përmirësimit të kurrikulave, trajnimit të stafit dhe inkurajimit të prindërve dhe familjeve për të mbështetur një qasje holistike ndaj zhvillimit të fëmijëve.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.