16.03.2023
Ministrja Trençevska në vizitë në Qendrën ditore për të moshuarit në Çair në kuadër të fushatës "E zëshme dhe e guximshme"
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, së bashku me sekretaren e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit, Suzana Tuneva Paunovska, vizituan Qendrën ditore për të moshuarit në Çair. Vizita u realizua në kuadër të fushatës “E zëshme dhe e guximshme” me qëllim të promovimit të fuqizimit ekonomik dhe shëndetit mendor të grupeve të ndryshme të synuara.
Socializimi më i madh, lidhja dhe përmirësimi i shëndetit fizik dhe mendor është qëllimi kryesor i shërbimit social që zbatohet përmes Qendrës ditore për të moshuarit në komunën e Çairit në Shkup. Momentalisht rreth 30 persona nga komuna e vizituan Qendrën ditore për të moshuarit në Çair. Ky shërbim social është pjesë e reformës sociale që synon krijimin e shërbimeve në mjediset lokale që do t'i përgjigjen nevojave të shfrytëzuesve.
Trençevska gjatë vizitës së saj theksoi se mënyra e jetesës aktive e mbushur me socializim të përforcuar ndikon pozitivisht në shëndetin fizik dhe mendor të njerëzve në moshën e tretë. Ajo theksoi se ky shërbim social synon pikërisht krijimin e mundësive për plakje aktive, në mënyrë që personat në moshën e tretë të marrin aktivitete specifike për përmirësimin e cilësisë së jetës.
Shërbimi social i cili është synuar për të moshuarit dhe ofrohet përmes kësaj Qendre Ditore, financohet nga Projekti për përmirësimin e shërbimeve sociale, që zbatohet nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me mbështetjen e Bankës Botërore, dhe është pjesë e reformës gjithëpërfshirëse sociale në vend. Përveç shfrytëzuesve nga kategoritë e rrezikuara, reforma sociale ofron mundësi punësimi edhe tek ofruesit e shërbimeve, ku përparësi kanë punëkërkuesit nga kategoritë e cenuara.
Përmes këtij shërbimi personat mbi moshën 65 vjeçare mund ta vizitojnë Qendrën çdo ditë, të shoqërohen me bashkëmoshatarët e tyre, të organizojnë aktivitete të caktuara sociale dhe gjatë vizitës të marrin ndihmë nga ekspertët të cilët i zbatojnë aktivitetet.