04.07.2023

Trençevska-Pilgram: Organizata Ndërkombëtare e Punës mbetet përkrahëse e fuqishme e vendit tonë në politikat në fushën e punës

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, ka takuar sot drejtorin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP) për Evropën Qendrore dhe Lindore, Markus Pilgram.

Takimi filloi me një bisedë për Programin e ri Kombëtar për Punë dinjitoze, që do të zbatohet deri në fund të vitit 2025, i cili u miratua dhe u nënshkrua sot nga përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP), Qeverisë, sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve.

Bashkëbiseduesit konfirmuan edhe një herë rëndësinë e tij, duke pasur parasysh se synimi i tij është krijimi i më shumë vendeve të punës, përmirësimi i perspektivës së punësimit për të rinjtë dhe të rejat, si dhe tregu gjithëpërfshirës i punës përmes promovimit të mëtejshëm të dialogut social. Programi i ri Kombëtar mbështet agjendën e reformave të vendosura në Programin e Qeverisë 2022-2024, i cili fokusohet në zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e standardit të jetesës.

Ministrja Trençevska theksoi rëndësinë e dialogut social dhe marrjen e të gjitha vendimeve të rëndësishme përmes diskutimeve konstruktive së bashku me partnerët social.“Dialogu social gjithmonë mund të përmirësohet dhe mund të punohet për ta avancuar atë. Që nga fillimi i vitit kemi mbajtur 11 seanca të Këshillit Ekonomik Social, ku të gjitha vendimet janë marrë me konsensus. Aktualisht jemi duke punuar për Marrëveshjen e re të Përgjithshme Kolektive, e cila synon avancimin e të drejtave të punëtorëve dhe vendosjen e një metodologjie të re për rritjen e pagave në sektorin publik," theksoi Trençevska.

Si prioritet i veçantë i Programit për punë dinjitoze, është inkurajimi i përfshirjes së perspektivës gjinore në lidhjen e marrëveshjeve kolektive, si mjet i rëndësishëm për barazi dhe zhvillim në shoqëri.

Në takim u diskutua edhe për përgatitjen e Ligjit të ri për Marrëdhëniet e Punës – ligj sistemik që është në punë për pesë vite, për të cilin janë mbajtur një numër i madh i debateve publike, janë duke u shqyrtuar të gjitha komentet dhe sugjerimet e marra, dhe pritet të hyjë në procedurë parlamentare deri në fund të vitit. Procesi i punës së zgjidhjes së re ligjore mori mbështetje nga Zyra e ONP-së në vend.

Republika e Maqedonisë së Veriut është i vetmi vend që nuk është anëtar i BE-së dhe Garancia për Rininë është zbatuar me sukses, për të cilën është veçanërisht e rëndësishme mbështetja e ONP-së. Garancia për të rinjtë do të vazhdojë të zbatohet në vend.

Ministrja Trençevska foli edhe për aktivizimin e përfituesve të ndihmës minimale të garantuar në tregun e punës.

“Në vend janë rreth 36 mijë përfitues të NMG, me aktivizimin e antarve të familjes të aftë për punë në vend të ndihmës sociale mundësohen të ardhurat nga paga në familje dhe në të njëjtën kohë reduktojmë mungesën e fuqisë punëtore në vend’’, theksoi Trençevska.Drejtori i ONP-së Markus Pilgram shprehu mbështetjen e mëtejshme për politikat, programet dhe projektet e vendit në fushën e punës, të cilat prekin çështjet ekonomike dhe sociale në vend.

Ministrja Trençevska falënderoi për mbështetjen e marrë deri më tani nga Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe konfirmoi përkushtimin e Qeverisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për avancimin e të drejtave të punëtorëve dhe dialogun social.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.