14.07.2023

Trençevska: Fillon me punë Qendra e re ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara në Komunën e Karposhit

Reforma sociale vazhdon me përfitime për qytetarët. Në Komunën e Karposhit të Shkupit sot zyrtarisht është hapur qendra e re ditore me trajtime individuale për fëmijët me aftësi të kufizuara. Në qendrën ditore 32 fëmijë nga mosha 2 deri në 10 vjeç do të marrin trajtim individual nga shërbimet profesionale sipas nevojave të tyre, për të cilat është bërë vlerësimi paraprak. Shërbimi do të ofrohet nga bashkëpunëtorë ekspertë dhe pedagogë specialë nga shoqata “Montesori”, e cila është ofrues i këtij shërbimi. "Montesori" ka përvojë dhe njohuri të madhe në këtë fushë, dhe përmes kësaj qendre do të kontribuojë në përfshirjen më të madhe të fëmijëve në komunitet.

Gjithëpërfshirja është një nga synimet kryesore të Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale,në kuadër të së cilit është edhe Qendrën Ditore për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara. Projekti për përmirësimin e shërbimeve sociale është një nga instrumentet përmes të cilit zbatohet reforma e përgjithshme sociale nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, komunat dhe ofruesit të shërbimeve.

“Qëllimi kryesor i reformës sociale është ngritja e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët, e cila përshtatet sipas nevojave të qytetarëve dhe ofron një përgjigje konkrete ndaj pritshmërive të tyre dhe mundëson gjithëpërfshirje më të madhe. Gjithashtu, përmes shërbimeve adekuate sociale kontribuojmë drejtpërdrejt në përforcimin e kapitalit njerëzor dhe uljen e varfërisë. Një qasje e tillë mundësoi disponueshmëri më të madhe të shërbimeve për një numër më të madh të qytetarëve, me çka efektet janë të shumëfishta. Sot kemi një kauzë vërtet fisnike dhe me shumë gëzim po hapim qendrën e re ditore ku fëmijët do të mund të marrin trajtimin e duhur dhe të përgatiten për një përfshirje më të madhe në komunitet. Ftoj prindërit që t'i shfrytëzojnë shërbimet e qendrës dhe do të vazhdojmë me krijimin e shërbimeve sociale të përshtatura për qytetarët”, theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

Në procesin e decentralizimit si pjesë e reformës sociale, roli i komunave në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe funksional për ofrimin e shërbimeve sociale është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

“Komuna e Karposhit është komuna e parë që njohu mundësitë që ofron Projekti për Zhvillimin e Shërbimeve Sociale, para së gjithash në drejtim të plotësimit të nevojave të qytetarëve të saj. Ajo ishte aplikante edhe me dy projekte në thirrjen e parë të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe Bankës Botërore. Na vjen mirë që të dy projektet u miratuan dhe plotësuan kriteret strikte të Bankës Botërore. Është tregues se komuna jonë është në gjendje të zbulojë nevojat e qytetarëve dhe të ofrojë zgjidhje përmes formave të ndryshme dhe kësaj radhe duke zgjedhur organizatat joqeveritare që kanë kapacitet për të ofruar shërbime cilësore”, deklaroi kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski.

Në hapjen e qendrës ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara, e cila do të punojë nën drejtimin e ekspertëve nga Montesori, organizatë që ka përvojë të madhe në këtë fushë, mori pjesë edhe Biljana Sterjadovska Stojçevska, kryetare e Shoqatës Montesori të Maqedonisë, e cila theksoi:

“Programi Montesori bazohet në tre parime të rëndësishme: dinjiteti njerëzor, paqja dhe liria. Këto parime janë baza e aktiviteteve në qendrën e re ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe do të zbatohen plotësisht kur të fillojë të punojë sipas programit tonë. Në punën me fëmijët do të shfrytëzohen njohuritë më të fundit në këtë fushë dhe përvoja jonë e mëparshme do të kontribuojë më tej në përfshirjen më të madhe të fëmijëve dhe ne do të jemi mbështetje për ta dhe familjet e tyre”.

Qendra ditore e fëmijëve me aftësi të kufizuara në komunën e Karposhit është një nga projektet e realizuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale përmes Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale. Deri më tani janë mbështetur 34 projekte në 37 komuna. Përveç qendrës ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara, ofrohen edhe shërbime asistence dhe përkujdesjeje për të moshuarit në shtëpi, qendra ditore për të moshuarit dhe qendra për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave me aftësi të kufizuara. Për momentin janë trajnuar 300 persona për ofrimin e shërbimeve dhe do të mbulohen më shumë se 1200 shfrytëzues.

Përmes thirrjes së dytë publike janë përzgjedhur edhe 12 projekte në 17 komuna, të cilat janë në fazën e licencimit dhe përgatitjes për zbatimin e shërbimeve sociale. Pritet që nga mesi i vitit të fillojnë ofrimin e shërbimeve për shfrytëzuesit. 

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.