14.08.2023
Trençevska: Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është e hapur për të gjithë pensionistët
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot ka mbajtur takim me përfaqësuesit e Këshillit Iniciativ të Pensionistëve të Maqedonisë, të cilët sot kanë dalë të protestojnë me disa kërkesa.
Në takim përfaqësuesit e Këshillit Iniciativ të Pensionistëve i paraqitën kërkesat e tyre, duke përfshirë rritjen lineare prej 3.500 denarë për të gjitha pensionet, si dhe vazhdimin e harmonizimit sipas metodologjisë së re të vendosur vitin e kaluar, përcaktimin e pensionit minimal në shumën prej 80 për qind të pagës minimale, rritjen e kompensimit për mobilitet dhe përkujdesje nga person tjetër dhe për ndihmën e garantuar minimale.
Ministrja Trençevska i dëgjoi kërkesat e tyre, pas së cilës u hap diskutim lidhur me to. Ministrja theksoi se pensionistët dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së kategorisë sonë më të vjetër të qytetarëve është prioritet i kësaj qeverie. Këtë e vërtetojnë faktet se që nga ardhja e kësaj Qeverie, gjëja e parë që u hap ishte çështja e rritjes së pensioneve dhe sigurimit të një jete të denjë për të gjithë.
“Vitin e kaluar, përmes një procesi transparent, së bashku me Lidhjen e Pensionistëve dhe Partinë e Pensionistëve, miratuam metodologjinë e re që siguron përafrimin me koston e jetesës dhe pagën mesatare. Është rritja më reale e pensioneve. Është një zgjidhje sistematike që mundëson rritje të vazhdueshme të pensioneve”, tha Trençevska.
Me ndryshimet e fundit në Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor, i cili ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2022, dhe me futjen e mënyrës së re të harmonizimit të pensioneve, me përshtatjen në modelin e kombinuar të rritjes 50 për qind të pagës mesatare dhe rritja 50 për qind e kostos së jetesës pensionet u rritën me rreth 21 për qind. Harmonizimi i parë në shtator të vitit 2022 ishte 6.8 për qind, i dyti në mars të 2023 - 8.4 për qind dhe parashikimi aktual për shtator 2023 - të paktën 6 për qind. Së bashku me harmonizimin në janar të vitit 2022 është një rritje prej rreth 24 për qind që nga ardhja e kësaj përbërje qeveritare.
Ministrja theksoi se iniciativa për përmirësimin e cilësisë së jetës së pensionistëve ka ardhur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe ajo si ministre - iniciativë kjo e mbështetur nga Qeveria.
Në vitin 2022, në muajt mars, prill dhe maj, të gjithë 330.000 pensionistë kanë marrë ndihmë financiare prej 3.000 denarë, ndërsa pensionistët me pensione të ulëta kanë qenë pjesë e pakos së ndihmës financiare për kategoritë e cenueshme të qytetarëve, përkatësisht kanë marrë ndihmë nga 3000 dhe 6000 denarë varësisht nga shuma e pensionit.
Qeveria vazhdon të subvencionojë energjinë elektrike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pensionistët. Pensionistët me pension të ulët mund të marrin subvencione për energji elektrike deri në 1000 denarë përmes Ministrisë së Ekonomisë.
Ministrja theksoi se me politika të mira dhe punë korrekte sigurohet stabiliteti i fondit pensional dhe pensionistët i marrin pensionet rregullisht dhe para kohe.
Të gjitha kërkesat e dorëzuara në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale do të shqyrtohen dhe së bashku me Lidhjen e Pensionistëve do të krijohen politika dhe masa të mëtejshme për pensionistët me theks të veçantë për ata me pensione më të ulëta dhe në drejtim të sigurimit të një jete të denjë për të gjithë qytetarët.