01.12.2023

Trençevska: Në vazhdimësi po zhvillojmë shërbime sociale, të cilat mundësojnë plakje dinjitoze, aktive dhe të socializuar

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot foli në panelin e diskutimit “Plakja dhe migrimi: sfidat e dyfishta demografike në Maqedoninë e Veriut” në kuadër të konferencës së organizuar nga Banka Botërore me rastin e 30 viteve të partneritetit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Botërore.

“Migrimi ka implikime serioze për rritjen dhe produktivitetin. Ndërsa popullsia zvogëlohet dhe plaket, ka mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Largimi i trurit mund të çojë në boshllëqe të konsiderueshme në sektorët jetik dhe të ulë produktivitetin. Plakja dhe migrimi gjithashtu rrisin presionin mbi sistemin e mbrojtjes sociale në Maqedoninë e Veriut dhe mbi nevojën për ofrimin e shërbimeve publike”, tha Trençevska.

Ajo theksoi se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është duke punuar në mënyrë aktive për parandalimin e pasojave negative të trendeve të migrimit dhe se të njëjtat sfida mbulohen në Strategjinë për demografi.

Në këtë drejtim, ministrja shpjegoi Projektin për përmirësimin e shërbimeve sociale të zbatuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me mbështetjen e Bankës Botërore.

“Përmes këtij projekti janë dhënë grante dhe janë nënshkruar 34 kontrata me komuna dhe ofrues për zhvillimin e shërbimeve të reja sociale. Shumica e këtyre shërbimeve janë të destinuara për ndihmën dhe kujdesin e të moshuarve, dhe pjesa tjetër janë për zhvillimin e shërbimeve: kujdesi ditor për të moshuarit me plakje aktive, kujdesi ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe trajtime individuale, kujdesi ditor për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave me aftësi të kufizuara, asistencë personale dhe këshillim. Më shumë se 1591 përfitues marrin shërbime sociale përmes këtij projekti. Për ofrimin e shërbimeve janë punësuar 460 kujdestarë, asistentë personalë dhe profesionistë, shumica e të cilëve ose 66% ishin të papunë afatgjatë, dhe 40 ose 15% ishin përfitues të asistencës minimale të garantuar, kështu që ky projekt jep kontributin e vet në aktivizim dhe punësim për njerëzit me vështirësi për t'u punësuar, kryesisht nga zonat rurale," tha Trençevska.

Ajo theksoi se demografia është një çështje shumë komplekse dhe se për një përgjigje përkatëse, përveç investimit në qendrat e të moshuarve dhe shërbimet për të moshuarit, së bashku me Bankën Botërore, ministria investon edhe në zhvillimin e fëmijërisë së hershme.

Ministrja theksoi se duke iu përgjigjur nevojave reale të shtetit, ministria së bashku me Bankën Botërore do ta realizojnë projektin e dytë për përmirësimin e shërbimeve sociale, i cili, siç tha Trençevska, pritet të ketë sukses edhe më të madh.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.