07.12.2021

Ministrja Shahpaska në takim me Misionin e FMN: I përfshijmë të rinjtë në tregun e punës dhe e ulim sistematikisht papunësinë dhe ekonominë informale 

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shahpaska sot pasdite pati një takim online me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të udhëhequr nga Bergloh Bjornson Barkbu, ku ndër të tjera u diskutua për rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë Covid - 19, punësimin e të rinjve, formalizimin e ekonomisë informale, si dhe lëvizjen e fuqisë punëtore në afat të gjatë.

 

Ministrja Shahpaska informoi se edhe gjatë krizës ekonomike, të shkaktuar nga kriza shëndetësore, vendi ynë shënon nivel më të ulët historik të papunësisë prej 15.9 për qind, që është një tregues i qartë se politikat e Qeverisë dhe gjashtë paketat e masave ekonomike kanë dhënë një rezultat pozitiv. 

“Edhe paga minimale dhe ajo mesatare në periudhën e kaluar kanë tendencë rritjeje. Trendi pozitiv i pagave ka vazhduar edhe në vitin 2021, paga mesatare neto për shtatorin e vitit 2021 është 5.3 për qind më e lartë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2020. Edhe në periudhë pandemie, në përputhje me legjislacionin, kemi mundësuar harmonizimin e pagës minimale”, tha ministrja Shahpaska.

 

Përfaqësuesit e misionit të FMN-së u interesuan se çfarë masash po ndërmerr Qeveria për të ndihmuar kategoritë e rrezikuara të qytetarëve, sa i përket nevojave për energji elektrike dhe burime të tjera të energjisë. 

Ministrja Shahpaska informoi se me ndryshimet në Ligjin për mbrojtje sociale, gjatë pandemisë, për pothuajse 36.000 përfitues të ndihmës minimale të garantuar, si dhe për rreth 7.500 përfitues të pensionit social, është siguruar shtesë prej 1000 denarë për energji gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm për gjashtë muaj siç ishte më parë. Përveç kësaj, Qeveria është duke përgatitur një Program për Mbështetje energjetike që do të rrisë mbulimin e qytetarëve që do të kenë një mbështetje të tillë”, tha ministrja Shahpaska. 

Lidhur me ekonominë joformale, ministrja Shahpaska vlerësoi se Qeveria, përmes qasjes sistematike dhe multisektoriale, si dhe përmes disa masave dhe projekteve, po punon në formalizimin e ekonomisë joformale. 

Në atë kontekst janë masat e parashikuara në Planin Operativ të programeve dhe masave aktive të punësimit, pastaj Strategjia e Sipërmarrjes Sociale dhe legjislacioni për ndërmarrjet sociale që po punojmë aktualisht, e që do të mundësojnë aktivizimin në tregun e punës të personave që kanë vështirësi për t’u punësuar. Sigurisht po punojmë edhe në ngritjen e vetëdijes për përfitimet e formalizimit të ekonomisë joformale, por edhe për një qasje të organizuar ndaj aktiviteteve si bujqësia dhe ndërtimtaria ku ekonomia joformale është më e përhapur”, shtoi ministrja Shahpaska. 

Lidhur me punësimin e të rinjve, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale theksoi se politikat rinore të zbatuara nga MPPS-ja dhe Qeveria kanë dhënë rezultate pozitive, gjegjësisht kanë sjellë rritje të punësimit të të rinjve të moshës prej 15 në 29 vjeç nga 30.2 për qind në vitin 2017, në 34.6. për qind në tremujorin e dytë të 2021.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.