15.09.2021

Ministrja Shahpaska në Konferencën ndërkombëtare “Gratë në politikën e jashtme”: Suksesi ynë do të jetë i plotë vetëm nëse inkurajojmë dhe motivojmë të paktën një grua më shumë për të hapëruar me guxim në botën e burrave 

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, sot mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Gratë në politikën e jashtme”, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ajo, duke folur mbi temën “Covid-19 dhe ndikimi i tij ekonomik tek gratë”, tha se pavarësisht krizës globale shëndetësore-ekonomike, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka miratuar dy ligje kryesore, Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi dhe Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje.

 

“Gjatë një viti e gjysmë të kaluar, shoqëria jonë, dhe besoj se e gjithë bota, ka parë se sa gra mbi supet e tyre, secila në një sektor të ndryshëm, e kanë përballuar barrën e krizës shëndetësore-ekonomike. Fakti që 74 për qind e punonjësve të shëndetësisë janë gra flet shumë për praninë e tyre në ballë të trajtimit të pandemisë. Në kopshtet e fëmijëve, në arsim, në tregti, ku gratë janë të punësuara kryesisht, është treguar guximi dhe këmbëngulja e tyre. Ato bënë çmos dhe nuk lejuan që kujdesi shëndetësor të nënshtrohej, arsimi të ndalonte, fëmijët të neglizhoheshin, dyqanet të mbylleshin”, tha Shahpaska. 

Sipas ministres, formimi i Komisionit të parë të pavarur dhe profesional për mbrojtjen nga diskriminimi ka një rëndësi të madhe sepse zbaton një qasje shumë-sektoriale të institucioneve në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Gjithashtu, me qëllim të promovimit të barazisë gjinore në vendin tonë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale po punon në përgatitjen e Ligjit për barazi gjinore i cili duhet të mundësojë promovimin e pozitës së grave dhe mundësi të barabarta në ushtrimin e të drejtave, qasje të barabartë në burimet, pjesëmarrje të barabartë në jetën publike dhe politike, barazi në vendimmarrje etj.

 

“Sukses i juaj dhe i imi profesional do të jetë i plotë vetëm nëse ne mbështesim, inkurajojmë, nxisim, motivojmë të paktën një grua më shumë për të hyrë me guxim në botën e burrave. Vetëm në këtë mënyrë ne do të arrijmë misionin tonë dhe do të përmbushim vizionin e Benazir Buto, kryeministres së parë femër të Pakistanit, e cila në një shoqëri dominuese ‘mashkullore’, mjaft e mbyllur ndaj ideve të reja dhe përparimtare, arriti të krijojë një shoqëri të lirë, të hapur dhe progresive”, porositi Shahpaska.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.