08.06.2021

Shahpaska: Për mbi 92 për qind e të punësuarve, e diela do të jetë ditë e pushimit javor, ata që do të punojnë do të marrin 50 deri 100 për qind mëditje më të lartë dhe ditë të lirë

E diela, ditë e pushimit javor, bëhet realitet, siguruam ditë për familjen, ndërsa ata që do të punojnë do të marrin 50 deri 100 për qind mëditje më të lartë dhe ditë të lirë, tha ministrja Jagoda Shahpaska pas vendimit të Qeverisë për ta miratuar Propozim-ligjin për marrëdhënie pune dhe ta dërgojë në procedurë kuvendare, ndërsa zbatimi i tij do të fillojë këtë vit nga 1 tetori.

Sipas analizave të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, për mbi 92 për qind e punëtorëve në vend, e diela do të jetë ditë e pushimit javor.

Ky ligj është përgatitur me pjesëmarrjen e të gjithë partnerëve në dialog social, përfaqësues të punëtorëve përmes sindikatave të tyre dhe punëdhënësve. Ligji parasheh dita e diel të jetë ditë e pushimit javor për të gjithë punëtorët, përveç për një pjesë të punëtorëve në veprimtaritë ku procesi i punës nuk mund të ndërpritet. 

“Këta punëtorë, për punën gjatë së dielës do të marrin mëditje më së paku 50 për qind më të lartë se mëditja e rregullt. Në mënyrë shtesë, do të marrin edhe ditë të lirë që do ta shfrytëzojnë në shtatë ditët e ardhshme”, tha ministrja Shahpaska.

Me ndryshimin e Ligjit për tregti, për të punësuarit në tregti është parashikuar mëditje e dyfishtë dhe ditë e lirë, sepse nuk bëhet fjalë për veprimtari ku procesi i punës nuk mund të ndërpritet.

Zbatimi i ligjit do të kontrollohet nga Inspektorati Shtetëror i Punës, ndërsa ata që do ta shkelin ligjin do t’u ndalohet puna për 15 ditë dhe do t’u lëshohet urdhërpagesë për kundërvajtje. Nëse punëdhënësi e përsërit shkeljen brenda një viti, ndalimi i punës do të jetë për 30 ditë.

“Gjatë periudhës së ndalimit të punës, punëdhënësi do të ketë për obligim punëtorëve t’u paguajë kompensim të pagës në lartësi të pagës së paguar muajin e kaluar, dhe në të njëjtën kohë, nuk duhet të zvogëlojë numrin e të punësuarve”, tha Shahpaska.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.