16.11.2021
Takimi Shahpaska-Tavila: Me harmonizimin e mirë të mbrojtjes shëndetësore dhe sociale, qytetarët fitojnë drejtësi dhe barazi më të madhe në qasjen në shërbime
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, sot ka takuar përfaqësuesen e OBSH-së në Maqedoninë e Veriut, Xhihan Tavila, shefen e Zyrës Evropiane të OBSH-së në Venecia, Itali, Kris Braun dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Temë e takimit ishte trajtimi i pabarazive socio-ekonomike në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Theksi u vu në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe shkëmbimin e të dhënave si veçanërisht të rëndësishme në krijimin e masave për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve.
Ministrja Shahpaska vuri në dukje se në fillim të pandemisë, Qeveria vendosi dy prioritete kyçe, si: ruajtjen e çdo vendi pune dhe ndihmën dhe mbështetjen për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve. Gjashtë pakot e ndihmës ekonomike u krijuan për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve dhe kompanive më të prekura nga pandemia. Dhe, në formë shtesë u lehtësuan kriteret për hyrjen në sistemin e mbrojtjes sociale, në mënyrë që të plotësohen nevojat e qytetarëve për ta kaluar më lehtë periudhën e krizës.
“Suksesi i reformës sociale nuk qëndron në rekrutimin e sa më shumë qytetarëve në sistemin e mbrojtjes sociale, por në aktivizimin e tyre në tregun e punës, përmes përgatitjes së planeve individuale të Agjencisë së Punësimit dhe Qendrave për Punë Sociale. Se Plani Operativ i masave dhe programeve aktive është i suksesshëm, tregojnë shifrat prej 94% realizim për vitin e kaluar dhe realizimin aktual prej 87% për këtë vit”, tha ministrja Shahpaska.
Ajo theksoi se fokusi i punës së Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale janë kategoritë e cenueshme të qytetarëve dhe sigurimi i ndihmës dhe mbështetjes sipas nevojave të tyre. Në këtë drejtim, Ministria punon për disponueshmëri më të madhe të shërbimeve sociale në nivel lokal, ndërtimin e kopshteve në zonat rurale, aktivizimin e punëtorë familjarë në tregun e punës, mbështetjen për të moshuarit, avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. barazinë gjinore, formalizimin e vende joformale të punës.

Përfaqësuesja e OBSH-së në Maqedoninë e Veriut, Xhihan Tavila, shprehu kënaqësinë e saj nga biseda me ministren Shahpaska, ku u theksua rëndësia e agjendës sociale dhe reformave në sferën sociale për shëndetin dhe barazinë në aspektin e qasjes në shërbime shëndetësore për të gjithë popullatën.
“Për të pasur politika të mira të bazuara në dëshmi, mbikëqyrja e barazisë shëndetësore është thelbësore dhe duhet të jetë pjesë e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit. OBSH-ja, së bashku me agjencitë kombëtare partnere dhe ministritë përkatëse do të mbështesë zhvillimin e një kornize kombëtare për monitorimin e barazisë shëndetësore”, theksoi dr. Xhihan Tavila, përfaqësuese e OBSH-së në Maqedoninë e Veriut.
Bashkëbisedueset shprehën besimin se harmonizimi i mirë i mbrojtjes shëndetësore dhe sociale do të kontribuojë dukshëm në krijimin e një drejtësie dhe barazie më të madhe në qasjen ndaj shërbimeve për qytetarët.