30.11.2021

Ministrja Shahpaska e prezantoi Projekt-buxhetin qytetar të MPPS-së për vitin 2022: Rritim investimet kapitale për 100%, ndërtojmë kopshte të reja, Shtëpi të të Moshuarve dhe Qendra Ditore për Personat me Aftësi të Kufizuara 

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, sot në konferencë për media e prezantoi Projekt-buxhetin qytetar të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për vitin 2022, që i pasqyron plotësisht përpjekjet dhe prioritetet e Ministrisë – adresimin e nevojave të qytetarëve me theks mbi kategoritë e ndjeshme.

 

Ministrja Shahpaska theksoi se buxheti i Ministrisë siguron pagesën e përfitimeve sociale, të drejtat e mbrojtjes së fëmijëve, kujdesin e të moshuarve, pagesën e pensioneve, si dhe masat për punësim. 

“Buxheti i përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për vitin e ardhshëm 2022 është 50,6 miliardë denarë. Krahas pagesës së të drejtave monetare dhe shërbimeve nga sistemi i mbrojtjes sociale, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale investon edhe në ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe rindërtimin dhe zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese të mbrojtjes së fëmijëve dhe sociale. Në Projekt-buxhetin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për vitin 2022, mjetet e destinuara për investime kapitale janë rritur për gati 100%. Për investime kapitale për vitin 2022 janë planifikuar 195.480.000 denarë, prej të cilave 177.025.000 denarë për punë ndërtimore dhe 18.455.000 denarë për pajisje”, tha ministrja Shahpaska. 

Ajo theksoi se edukimi parashkollor është shumë i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e duhur të fëmijëve të moshës 0-6 vjeç. Prandaj edhe investimet e Ministrisë synojnë ndërtimin e kopshteve të reja dhe zgjerimin e kapaciteteve të atyre ekzistuese. 

“Vitin e ardhshëm do të përfundojë ndërtimi i 10 kopshteve: në Çair për 350 fëmijë, Rosoman 30 fëmijë, Erxheli 70 fëmijë, Karposh 100 fëmijë, Manastir 150 fëmijë, Likovë 102, Haraçinë 102, Probishtip 72, Vallandovë 57 dhe Kriva Pallankë 102 fëmijë. Fillon ndërtimi i çerdhes në Gostivar për 100 fëmijë, ndërsa me mjetet e siguruara nga fondet IPA tashmë janë lidhur kontrata dhe fillon ndërtimi i kopshteve në Tetovë për 250 fëmijë  dhe Tearcë për 200 fëmijë. Për momentin është në proces përgatitja e Programit të ri për ndërtimin e kopshteve të reja”, informoi ministrja. 

Ajo iu referua edhe ndërtimit të shtëpisë për të moshuar “Nada Mihajlova” në Probishtip me kapacitet për 55 shfrytëzues, si dhe dy Qendrat Ditore për Personat me Aftësi të Kufizuara në Komunën e Çashkës dhe fshatin në Palçishtë të Komunës së Bogovinës. 

Për mbarëvajtjen e kopshteve si dhe për përkujdesjen e të moshuarve në shtëpitë e të moshuarve janë paraparë bllok dotacione në vlerë prej 2.085.201.000 denarë. 

Ministrja theksoi se buxheti për vitin e ardhshëm për përfitime sociale parashikon 11 miliardë denarë për rreth 300.000 shfrytëzues. 

“Sistemi i mbrojtjes sociale është i gatshëm t’i absorbojë të gjitha familjet në rrezik social. Aktualisht 35,500 familje janë marrës të NGM. Janë siguruar mjete për pagesën e shtesës së fëmijëve, që aktualisht e shfrytëzojnë 47 mijë fëmijë dhe të shtesës arsimore që e shfrytëzojnë rreth 30 mijë nxënës dhe studentë”, tha Shahpaska. 

Si pjesë e qasjes së koordinuar multi-institucionale në trajtimin e dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, ministrja informoi se në vitin 2022 do të themelohen 5 shërbime të specializuara për gratë viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, edhe atë 1 në Kumanovë, në Kërçovë 2 dhe në Gostivar 2. 

Më tej, ministrja theksoi se me Projekt-buxhetin për vitin 2022 janë siguruar mjete për asistentë personalë për personat me aftësi të kufizuara nga 6 deri në 64 vjeç, si dhe siguri sociale për të moshuarit – pension të cilin aktualisht e marrin rreth 9500 qytetarë. 

Pensionet me kohë, ligjërisht të harmonizuara, për të cilat është paraparë transferim prej rreth 30 miliardë denarë në Fondin e sigurimeve pensionale dhe invalidore. 

“Një nga politikat e përgjithshme të MPPS-së është ulja e shkallës së papunësisë, e cila realizohet përmes Planit Operativ për programet dhe masat aktive të punësimit. Për këtë qëllim Ministria sivjet do të transferojë 400.000.000 denarë në Agjencinë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Synimi është përfshirja aktive në tregun e punës të personave të papunë afatgjatë, grupeve të rrezikuara, romë, femra dhe të rinj të papunë, të papunë të cilëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të pandemisë së shkaktuar nga KOVID-19. Vazhdon masa për subvencionimin e kontributeve për rritje të pagave në vlerë prej 2,5 miliardë denarë. Në këtë mënyrë rreth 120.000 punëtorë të punësuar në sektorin privat do të marrin paga më të larta”, nënvizoi ministrja Shahpaska. 

Ajo tha se vendi ynë është lider në rajon në zbatimin e garancisë rinore për punësimin e të rinjve të moshës 15-29 vjeç, si dhe që këtë vit vazhdon pagesa e kompensimit për të rinjtë për të rinjtë deri në 23 vjet, të punësuar në prodhimtari në vlerë prej 3.000 denarë në muaj. 

“Me buxhetin për vitin 2022, Ministria vijon punën për uljen e papunësisë, që aktualisht është në nivelin më të ulët historik prej 15.9%, ndihmë dhe mbështetje për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, pensione të sigurta, në kohë që do të rriten, ndërtimi i kopshteve të reja dhe zgjerimi i atyre ekzistuese, shërbime për më të moshuarit dhe edhe për vendet më të vjetra dhe më të largëta në vend”, tha ministrja Shahpaska.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.