15.08.2023
Trençevska: Zgjidhjet e qëndrueshme dhe sistematike nuk miratohen zbatohen brenda një dite
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, pas protestave të djeshme të pensionistëve dhe takimit me Këshillin e pensionistëve të cilët i shpallën kërkesat e tyre për pensionet, sot ka mbajtur takim edhe me Lidhjen e shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë. Në takim ishin të pranishëm kryetarja e Shoqatës së Pensionistëve, Stanka Trajkova dhe kryetarët e shoqatave të pensionistëve nga Prilepi, Shtipi dhe Ohri.
Trençevska theksoi se në periudhën e kaluar së bashku me Lidhjen e pensionistëve kanë miratuar Metodologjinë për rritjen e pensioneve dhe masat për përkrahjen e pensionistëve të cilët janë pjesë e kategorisë së cenueshme të qytetarëve. Ajo theksoi se puna e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale me Lidhjen në periudhën e kaluar nuk ka qenë në ndalesë, por përkundrazi janë duke punuar në vazhdimësi për zgjidhjen e përcaktimit të lartësisë së pensionit minimal.
Në takim të pranishmit vendosën që të formohet një grup pune i cili do të përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, përfaqësues të Qeverisë dhe Lidhjes së Pensionistëve dhe Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor.
Grupi i punës duhet të propozojë zgjidhje që do të jenë të qëndrueshme për sa i përket përcaktimit të masës së pensionit minimal, por edhe për lloje të tjera paketash masash në ndihmë dhe mbështetje të pensionistëve. Grupi i punës duhet të punojë për zgjidhje që do të jenë të qëndrueshme, që të mos cenojnë stabilitetin e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor dhe që mbi të gjitha të respektojnë nevojat e pensionistëve.
Ministrja nënvizoi se në periudhën e ardhshme takimet me pensionistët do të intensifikohen në të gjitha qytetet e vendit. Sipas saj, do të jetë një mundësi për të bërë propozime që do të jenë bazë për krijimin e zgjidhjeve dhe parashikimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore që kërkesat të jenë realitet.
Trençevska në fund të takimit theksoi se Ministria do të premtojë vetëm përmbushjen e zgjidhjeve që realisht mund të realizohen, sepse sipas saj fjala e dhënë qytetarëve duhet gjithmonë të realizohet plotësisht.