16.08.2023
Trençevska: Përmes shërbimeve sociale krijojmë mundësi për jetë më të mirë cilësore për pensionistët
Pensionistët kanë të drejtë për një jetë aktive dhe cilësore në moshën e tretë. Për këtë qëllim, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale po punon me përkushtim në zbatimin e reformës sociale, e cila ndër të tjera i kushtohet pikërisht pensionistëve dhe promovimit të mundësive për ta në drejtim të socializimit më të madh dhe përmirësimit të shëndetit.
Në këtë drejtim, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot vizitoi Qendrën ditore për të moshuarit me moshë aktive në komunën e Çairit në Shkup. Qendra vizitohet nga rreth 30 persona nga komuna dhe ky shërbim social është pjesë e reformës sociale, përmes së cilës krijohen shërbime në mjedise lokale sipas nevojave të përdoruesve. Ministrja Trençevska në takimin me pensionistët i vuri në dukje përfitimet e Qendrës ditore dhe apeloi shfrytëzuesit që sa më shumë t'i shfrytëzojnë shërbimet e saj.
“Edhe si Ministri dhe si Qeveri ndjejmë përgjegjësinë që ka shoqëria ndaj bashkëqytetarëve tanë të moshuar. Nëpërmjet të gjitha aktiviteteve dhe projekteve që synojmë për ta, ne përpiqemi t'u ofrojmë atyre cilësi sa më të lartë të jetës, socializim dhe përfshirje në jetën e përditshme. Ne besojmë se përmes funksionimit sa më të mirë të qendrave të tilla, por edhe përmes shërbimit të ndihmës dhe kujdesit në shtëpi, e arrijmë këtë. Përvojat dhe dëshmitë e tyre janë dëshmi e kësaj. Ne vazhdojmë në këtë mision tonën, i cili është njëri ndër më kryesorët në reformën sociale që po e realizojmë”, tha ministrja Trençevska gjatë vizitës së saj në Qendrën ditore për të moshuarit me moshë aktive në komunën e Çairit.
Qendra për plakje aktive vizitohet nga pensionistët mbi 65 vjeç dhe në të kryejnë disa aktivitete që synojnë përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik dhe forcimin e socializimit. Ky shërbim social synon pikërisht krijimin e mundësive për plakje aktive, gjë që vë në dispozicion të personave në moshën e tretë aktivitete konkrete për përmirësimin e cilësisë së jetës. Në Qendrën Ditore, pensionistët shoqërohen me bashkëmoshatarët e tyre dhe marrin ndihmë nga profesionistë.
Qendra ditore për të moshuarit me moshë aktive në Çair është një nga aktivitetet e mbështetura nga Projekti për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale. Në kuadër të Komponentit 1 të Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale, deri më tani janë mbështetur gjithsej 34 projekte, të cilat do të mundësojnë ofrimin e shërbimeve në 41 komuna. Shumica e këtyre projekteve janë të destinuara për ndihmën dhe kujdesin e të moshuarve, të paaftëve dhe personave me aftësi të kufizuara në shtëpitë e tyre, qendrat ditore për të moshuarit, qendrat ditore për personat dhe fëmijët me aftësi të kufizuara dhe qendrat për rehabilitimin dhe ri-integrimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe shërbimin e asistencës personale. Për ofrimin e këtyre shërbimeve deri më tani janë trajnuar 300 persona, duke ofruar shërbimet e duhura për më shumë se 1200 përdorues.
Në takimin e sotëm u hap tema për pensionet, rritjen e tyre, metodologjinë aktuale, gjendjen e sistemit pensional. Ministrja me këtë rast theksoi se kujdesi për pensionistët dhe mirëqenien e tyre është prioritet për Qeverinë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa theksoi edhe kontributin e saj personal si ministre për krijimin e politikave dhe masave që do të sigurojnë jetë të denjë për të gjithë.
“Do të formohet një grup pune që do të punojë për të gjetur një zgjidhje për harmonizimin e pensionit minimal. Pres që përmes dialogut deri në fund të vitit të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme, natyrisht duke ndjekur shembujt e vendeve të tjera, një zgjidhje të përshtatshme se si të përcaktojmë pensionin minimal në vend, i cili do të jetë mbi pragun e varfërisë të përcaktuar nga Banka Botërore”, tha Trençevska.
Ajo po ashtu theksoi se sa herë që krijohen politika duhet të merret parasysh stabiliteti i fondit pensional dhe se nuk duhet të lejohet të vihet në dyshim pagesa e pensioneve për asnjërin prej këtyre 330 mijë pensionistëve.