21.08.2023
Trençevska: Barazia gjinore është një nga prioritetet e Qeverisë
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot mbajti fjalim në manifestimin ku u prezantua publikimi “Gratë dhe burrat në Maqedoninë e Veriut”. Publikimi u prezantua në kuadër të projektit „Gender Equality Facility- Shërbimet këshilluese për përfshirjen e perspektivës gjinore për administratën e Maqedonisë së Veriut në nivel qendror", mbështetur financiarisht nga Suedia, që zbatohet nga UN Women në partneritet me Sekretariatin për Çështje Evropiane dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
"Koncepti i mundësive të barabarta nënkupton mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, si dhe qasje të barabartë në burime dhe të drejtë të barabartë për pjesëmarrje në jetën shoqërore dhe politike", theksoi Trençevska në fjalimin e saj.
Ministrja theksoi se mundësitë e barabarta për burrat dhe gratë në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë të rregulluara me Kushtetutë si akti më i lartë juridik, që është garanci për parandalimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
“Barazia gjinore është një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. “Barazia gjinore është pjesë e Programit të Punës së Qeverisë 2020-2023 dhe poashtu është edhe detyrim nga Agjenda për Zhvillim të Qëndrueshëm deri në vitin 2030, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal”, theksoi ministrja.
Trençevska në fund theksoi përfitimet e publikimit ku janë përmbledhur të gjitha të dhënat statistikore dhe tha se të dhënat që përbëjnë përmbajtjen e publikimit japin drejtimin që duhet të ndjekin institucionet dhe organizatat në zgjidhjen çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore.