31.08.2023

Me kopshtin e ri “Hapat e Para” është zgjeruar kapaciteti për 100 fëmijë në Komunën e Karposhit

Kujdesi për më të vegjëlit dhe përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve të destinuara për ta është prioriteti kryesor i Qeverisë, i cili realizohet përmes reformës sociale. Njëqind fëmijë nga komuna e Karposhit do të përkujdesen në objektin tërësisht të ri të quajtur "Hapat e Para", i cili ndodhet pranë kopshtit ekzistues IPKF "Orce Nikolov" në vendbanimin Karposh 3.

Në hapjen e objektit të ri të kopshtit në komunën e Karposhit mori pjesë edhe kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, i cili para të pranishmëve theksoi:“Ky kopsht në muajin shkurt feston 78 vjetorin e ekzistencës së tij dhe sot po marrim pjesë në hapjen e një objekti krejtësisht të ri në të cilin do të kujdesen edhe 100 fëmijë të tjerë. Është një objekt që është ndërtuar me të gjitha standardet për përkujdesjen e fëmijëve që nga mosha më e vogël në çerdhe dhe për grupet e të moshuarve me të gjitha kushtet e nevojshme dhe gjithçka që nënkupton edukimin e suksesshëm të fëmijëve në moshën parashkollore dhe rritjen e tyre. Kjo nënkupton edhe vende të reja pune në këtë kopsht të ri, që do të thotë punësim shtesë për bashkëqytetarët tanë që punojnë në këtë fushë”.

Në godinën e re të kopshtit janë të punësuar 12 persona si staf profesional dhe teknik, i cili do të kujdeset për fëmijët. Ndërtimi i kopshtit u realizua sipas standardeve më të larta të efiçencës energjetike, si dhe u ndërtuan katër klasa të reja, të cilat do të pajisen me materiale të reja didaktike, mobilje dhe pajisje për rritjen dhe zhvillimin e duhur të më të vegjëlve. Hapësira është shumëfunksionale dhe e adaptueshme, pra mundëson hapjen dhe shfrytëzimin e dhomave për nevojat e ndryshme të fëmijëve për mësim dhe lojë.

“Vendosmëria e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe e Qeverisë është një rritje e vazhdueshme e mbulimit të fëmijëve në kopshte si pjesë e procesit të nxitjes së zhvillimit të hershëm të fëmijërisë dhe natyrisht synojmë uljen e vazhdueshme të listave të pritjes në kopshte. Vetëm përmes Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale, të cilin po e zbatojmë me mbështetjen e Bankës Botërore, kemi reduktuar listat e pritjes në dhjetë komuna, komuna e Karposhit është e njëmbëdhjeta dhe pesë kopshte të tjera do të happen më së voni nga mesi i vitit të ardhshëm. Kjo vetëm do të rrisë mbulimin e kopshteve për më shumë se 1900 fëmijë përmes Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale. Siç e dini tashmë, qëllimi ynë si Qeveri është që deri në vitin 2024 të rrisim numrin e fëmijëve në kopshte dhe në qendrat e zhvillimit të fëmijërisë së hershme për 7500 vende dhe jemi shumë afër arritjes të tij”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

Ndërtimi i objektit të ri modern kushton më shumë se 23 milionë denarë, ndërsa më shumë se 6 milionë denarë janë investuar në dizajnin e brendshëm dhe blerjen e rekuizitave arsimore. Kopshti financohet nga Projekti për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale, i cili zbatohet nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me mbështetjen e Bankës Botërore. Qëllimi i aktiviteteve nga komponenti 2 i projektit është rritja e aksesit në shërbimet për zhvillimin e fëmijërisë së hershme me theks të veçantë tek fëmijët në rrezik social, fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët nga familjet rome.

Kapaciteti i përgjithshëm i IPKF "Orce Nikolov", me objektin e ri rritet në 540. Në objektin e ri ka tarraca të bollshme që u mundësojnë fëmijëve të luajnë së bashku në natyrë. Pas hapjes zyrtare të objektit të ri në kopsht, të pranishmit patën mundësinë të njihen me të gjitha përmbajtjet që ua prezantoi drejtoresha e IPKF "Orce Nikolov" Nadica Girovska.

Reforma sociale synon krijimin e shërbimeve të reja sociale sipas nevojave të qytetarëve dhe rritjen e numrit të qytetarëve që do t'i shfrytëzojnë këto shërbime. Komunat marrin grante nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për ndërtimin e kopshteve të reja, për zgjerimin e objekteve ekzistuese dhe shndërrimin e objekteve ekzistuese në kopshte. Në këtë mënyrë, përmes bashkëpunimit shumësektorial, sigurohet funksionalitet më i madh i shërbimeve, që është synimi përfundimtar i reformës sociale.

Kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, u shpreh i kënaqur me hapjen e objektit të ri dhe theksoi se nuk ka asgjë më të mirë se t'u hapësh mundësi fëmijëve për t'u kujdesur, për t'u arsimuar dhe për të ndjekur zhvillimin e së ardhmes së një vendi.

“Me hapjen e kopshtit do të ulim presionin për regjistrimin e fëmijëve në kopshtet e kësaj komune. Komuna e Karposhit po përballet me një gjendje të këndshme, e ajo është rritja e numrit të fëmijëve që duhet të kujdesen në kopshte, për dallim nga komunat tjera ku numri është në rënie. Kjo është edhe rezultat i cilësisë së kuadrit profesional që ai ofron në këto institucione”, theksoi Jakimovski.

Kopshti është pjesë e gjithsej 16 kopshteve të reja, ndërtimi i të cilëve realizohet përmes komponentit 2 të Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale të zbatuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale si pjesë integrale e reformës së përgjithshme sociale e Qeverisë.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.