21.05.2021

Ministrja Shahpaska në promovimin e Platformës Nacionale të Sipërmarrësisë së Grave: Zhvillimi i sipërmarrësisë dhe tejkalimi i stereotipave kanë përparësi për tërë shoqërinë

“Barazi në shoqëri, qasje të barabartë drejtuar resurseve të burrave dhe grave, shanse të njëjta për avancim, barazi për të gjithë...Krijojmë një shoqëri të tillë dhe për këtë qëllim përpiqemi si Qeveri”, tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shahpaska në fjalimin e saj në ngjarjen e sotme ku u promovua “Platforma nacionale e sipërmarrësisë së grave”.

Ky projekt u financua nga Bashkimi Evropian, udhëhequr nga Shoqata e Grave në Biznes në partneritet me Lidhjen e Odave Ekonomike të Maqedonisë, Federata Nacionale e Fermerëve dhe Fondacioni për Menaxhim dhe Hulumtim Industrial “MIR”.

“Përforcimi i aktivitetit ekonomik të grave dhe pjesëmarrja e tyre në pozita udhëheqëse në sektorin publik dhe atë privat është parakusht i rëndësishëm për arritjen e barazisë gjinore në vendin tonë”, theksoi ministrja Shahpaska dhe shtoi se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale punon me përkushtim për avancimin e statusit të grave dhe burrave në të gjitha fushat e jetës shoqërore.

Ministrja nënvizoi se Strategjia e sipërmarrjes së grave për periudhën 2019-2023 parashikon përforcim ekonomik të grave duke krijuar një klimë të favorshme biznesi dhe krijimin e mbështetjes së zhvillimit të shpirtit të tyre sipërmarrës, krijimin e vendeve të reja të punës, ndërsa me këtë edhe përforcimin e ekonomisë së përgjithshme. Pastaj, shtoi se, Ministria punon me seriozitet në rritjen e përqindjes së pjesëmarrjes së grave në tregun e punës përmes politikave të ndryshme, duke përfshirë edhe programet aktive dhe masat për punësim. Konfirmim për këtë janë 4898 gra që morën pjesë në programet aktive dhe masat në vitin 2020, përkatësisht 44,5 për qind.

 

Ajo theksoi përqindjen e lartë të masave të subvencionimit të pagave prej 49 për qind, pjesëmarrjen në masën, punësimin dhe rritjen e subjekteve juridike prej 48 për qind, por ende një pjesëmarrje e ulët në programin “mbështetja e vetëpunësimit” prej 32 për qind.  

“Luftojmë kundër stereotipave tradicionalë për rolin e gruas në familje të cilat pandemia me Covid-19 i theksoi në mënyrë plotësuese. 39% e grave më të mëdha se 18 vjeç çdo ditë kujdesen për fëmijët, personat e moshuar dhe të dobëtit. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës, në mjediset urbane gratë kalojnë 3 orë në aktivitete shtëpiake, (kundrejt 1 orë për burrat), dhe 4 orë e 22 minuta në mjediset rurale (kundrejt 1 orë e 19 minuta për burrat)”, informoi ministrja.

 

Duke parë nevojën e sigurimit të bilancit më të mirë mes obligimeve shtëpiake dhe punës së grave, si dhe pjesëmarrjen e tyre më të madhe në tregun e punës, ministrja Shahpaska e përcaktoi si veçanërisht të rëndësishme rritjen e kapacitetit për kujdes dhe edukim të fëmijëve në moshën parashkollore.

“Përpiqemi shumë në ndërtimin e kopshteve të reja të fëmijëve dhe zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese, në mënyrë që të rrisim përfshirjen e fëmijëve, dhe kështu t’u mundësojmë nënave të përfshihen në mënyrë aktive në tregun e punës. Për tetë muaj hapëm 11 kopshte të reja me kapacitet për 670 fëmijë, ndërsa deri në fund të vitit do të hapim edhe 13 kopshte të reja dhe me të cilat do të përfshihen shtesë edhe 1400 fëmijë. Në Ligjin e ri sistematik për marrëdhënie pune e ndryshojmë konceptin e pushimit të lehonisë dhe zbatojmë pushim prindëror edhe për baballarët”, potencoi ministrja.

Ajo informoi se është në fazë finale Strategjia e re për barazi gjinore për periudhën 2021-2026 në të cilën një nga prioritetet strategjike është rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës. Aty do të adresohen masa për nxitjen e grave si bartëse të investimeve dhe sipërmarrjeve, për krijimin e bizneseve personale.

“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale përpiloi një Ligj të ri për barazi gjinore me të cilin duhet të vendoset dhe promovohet barazia gjinore në të gjitha fushat e jetesës shoqërore. Me këtë vendim të ri ligjor përcaktohen kompetencat e subjekteve përgjegjëse për zbatimin e tij, si dhe mekanizmat e veçantë gjinorë”, tha Shahpaska.

Në fund dha një porosi për të gjitha gratë, të inkurajohen, të jenë kreative, këmbëngulëse, ambicioze, të jenë vetvetja dhe t’i shfrytëzojnë potencialet e tyre.

Pas fjalimit para përfaqësuesve të pranishëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, Federatës Nacionale të Fermerëve, Inspektoratit Shtetëror të Punës, Lidhjes së Odave Ekonomike, ministrja Shahpaska së bashku me pjesëmarrësit e tjerë të ngjarjes e nënshkroi Deklaratën për mbështetjen e sipërmarrjes së grave.​

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.