08.11.2022

Trençevska: Mbetemi të përkushtuar në çështjen e barazisë gjinore

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot mori pjesë në ditën e parë të debatit publik dyditor për propozim-ligjin për barazi gjinore në Qendrën Burimore për Politikëbërje dhe Buxhetim me Përgjegjësi Gjinore.

Në debatin që u mbajt me qëllim të zbatimit transparent dhe gjithëpërfshirës të ligjeve morën pjesë përfaqësues nga ministritë dhe të gjitha institucionet tjera relevante, si dhe organizatat e shoqërisë civile.

Ministrja Trençevska në fillim të fjalës së saj theksoi se rreth këtij ligji po punohet për më shumë se tre vjet dhe se ky është debati i shtatë publik nga nëntë të planifikuar, ku do të dëgjohen mendimet, propozimet dhe rekomandimet e palëve relevante. Ajo theksoi se në mënyrë të  transparente dhe gjithëpërfshirëse miratohen ligje që e avancojnë barazinë gjinore. 

“Ka disa risi në ligjin e propozuar. Një nga gjërat më të rëndësishme është integrimi gjinor. Kur flasim për barazi gjinore, nuk kemi parasysh vetëm sektorin publik dhe autoritetet dhe administratën shtetërore, por edhe përfshirjen e kësaj çështjeje në sektorin privat. Është me rëndësi të veçantë të flitet për barazi në të gjitha fushat e jetës shoqërore”, theksoi Trençevska.

Ajo shtoi se kur bëhet fjalë për barazinë gjinore, bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe se sektori privat nuk do të lihet anash sepse është një hallkë veçanërisht e rëndësishme në zinxhirin e zbatimit të barazisë gjinore.

“Besoj se diskutimi do të sjellë propozime dhe sugjerime shtesë që ligji të mos jetë vetëm tekst i shkruar në letër, por diçka që mund të zbatohet në periudhën e ardhshme”, tha Trençevska.

Në fjalën e saj përmbyllëse ministrja tha se pret një diskutim të hapur, konstruktiv dhe të frytshëm që do të mundësojë përfundimin e ligjit me qëllim të hyrjes së tij në procedurë qeveritare dhe parlamentare.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.