11.02.2022
Trençevska: Mentori social është hallkë e domosdoshme në sistemin e mbrojtjes sociale
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot takoi përfaqësuesen e Asociacionit për Hulumtim, Komunikim dhe Zhvillim - PABLIK dhe përfaqësuesen e GIZ-it, si mbështetës të Projektit për të drejtat sociale për kategoritë e rrezikuara - SORI.
Në takim u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer me Ministrinë në fushat e kompetencës së saj me theks në mbrojtjen sociale.
Krahas prezantimit të shkurtër të Projektit për të drejtat sociale për kategoritë e rrezikuara - SORI, përfaqësuesi i PABLIK, informoi për rezultatet e deritanishme dhe aktivitetet dhe synimet e ardhshme që do të pasojnë në periudhën e ardhshme.
Tema kryesore për të cilën bashkëbiseduesit diskutuan në takimin e sotëm ishte mentorimi social si lidhje kyçe në sistemin e mbrojtjes sociale. Reforma sociale prezantoi menaxhimin e rasteve dhe përgatitjen e një plani individual për çdo person nga kategoritë e rrezikuara për përfshirjen e tij në tregun e punës në bashkëpunim me qendrat për punë sociale dhe agjencinë e punësimit.
“Roli i mentorit social është i një rëndësie të madhe, sepse ai paraqet një lidhje të domosdoshme në sistemin e mbrojtjes sociale“. Ai i jep mbështetje të plotë personit të punësuar në familje, me qëllim aktivizimin në tregun e punës dhe përkrahje të mëtutjeshme”, tha Trençevska.
Përfaqësuesi nga PABLIK theksoi se një element kyç në program është kombinimi i njohurive eksperimentale dhe teorike dhe një qasje e individualizuar që plotëson nevojat dhe mundësitë e njerëzve vështirë të punësuar. Programi nënkupton edhe monitorimin e avancimit të individit nëpër faza të ndryshme të integrimit në punë, që përfshin evidentimin e sfidave, ndërhyrjet e realizuara për të kapërcyer sfidat dhe për të mundësuar zhvillimin e individit, si dhe rezultatet e aktiviteteve të ndërmarra mbështetëse.
Qëllimi është të mbështeten individët dhe punëdhënësit në realizimin e plotë të kapaciteteve profesionale të individëve dhe arritjen e pjekurisë profesionale.
Programi i projektit parashikon gjashtë muaj mentorim nga mentorë social, si dhe një mentor mund të punojë deri në 10 persona në muaj. Projekti parashikon gjithashtu ngritjen e qendrave arsimore në disa qytete për të mbështetur dhe trajnuar rreth 100 mentorë në fazën e parë.
Bashkëbiseduesit shprehën besimin se bashkëpunimi do të vazhdojë, me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve të qëndrueshme në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve, me theks në kategoritë e rrezikuara.