04.02.2022
Trençevska: Me sipërmarrësi sociale hapim vende të reja pune
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska dhe udhëheqësja e ekipit të projektit “Nxitja e ndërmarrësisë sociale”, Barbara Sadovska, të financuar nga BE-ja, në takimin e sotëm konstatuan se mbrojtja dhe ndihma nga institucionet është kyçe në mbështetjen e ndërmarrësisë sociale përmes së cilës grupet e cenueshme fitojnë shans për t’u përfshirë në komunitet. Trençevska tha se institucionet kanë treguar kohezion dhe bashkëpunim në sigurimin e kushteve të punës në mënyrë që të zvogëlohet pabarazia.
“Me mbështetjen institucionale për sipërmarrjen sociale, ne i zgjidhim sfidat si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal që kanë të bëjnë me varfërinë, papunësinë dhe çështje të tjera socio-ekonomike që lidhen me integrimin e grupeve të cenueshme. Ndërmarrjet sociale do të kontribuojnë në krijimin e vendeve të reja të punës për grupet e cenueshme. Në fund të vitit të kaluar hapëm Qendrën Kombëtare për Mbështetjen e Ndërmarrjeve Sociale, e cila ofron mbështetje financiare, por mbi të gjitha edukim dhe trajnim të ndërmarrjeve sociale. Me zgjidhjen e re ligjore për ndërmarrjet sociale, e cila presim të miratohet këtë vit, përveç rregullimit të themelimit, do të rregullojmë edhe sistemin e monitorimit të punës së ndërmarrjeve sociale, strukturën e krijuar mbështetëse dhe vlerësimin e efekteve nga masat”, tha Trençevska.
Udhëheqësja e ekipit të projektit “Nxitja e ndërmarrësisë sociale”, Barbara Sadovska, theksoi se thelbi i projektit është krijimi i mbështetjes institucionale për të cilën së shpejti pret zgjidhje ligjore që do të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme.
“Sipërmarrësia sociale dhe ndërmarrjet u mundësojnë komuniteteve lokale të zhvillohen më me sukses. Legjislacioni u nevojitet që të mund të funksionojnë me sukses ato dhe të luajnë një rol gjithëpërfshirës në përfshirjen e grupeve të cenueshme në komunitetet lokale”, tha Sadovska.
Në gusht të vitit të kaluar, Qeveria e miratoi Strategjinë Kombëtare për Sipërmarrësinë Sociale 2021 - 2027, me një plan veprimi dyvjeçar 2021-2023.