14.11.2022

U nënshkrua Memorandum për Bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të R. së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të R. së Shqipërisë

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë sot nënshkruan Memorandum për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, shprehu kënaqësinë që të dyja vendet nënshkruan memorandum bashkëpunimi, i cili është rezultat i interesimit dhe gatishmërisë për fillimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve.

Ministrja Trençevska, theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi do të intensifikojë bashkëpunimin mes dy ministrive dhe do të mundësojë shkëmbimin e përvojave në fushën e mbrojtjes sociale dhe politikave për mbrojtjen e fëmijëve.

“Këtu do të potencoja politikat për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara, vlerësimin ndaj tyre, shërbimet rehabilituese për personat me aftësi të kufizuara, kujdesin për të moshuarit, mbrojtjen institucionale dhe joinstitucionale. Pastaj, politikat e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, parandalimi dhe lufta kundër dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, si dhe sistemi i programeve për ndihmë sociale dhe mbrojtje të të drejtave të fëmijëve”, tha Trençevska.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se nënshkrimi i memorandumit do të forcojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, veçanërisht të fëmijëve që janë objektiv i trafikimit të qenieve njerëzore, duke përmirësuar programet  e të dyja palëve në lidhje me përmbushjen e konventave ndërkombëtare në fushën e legjislacionit dhe harmonizimin me legjislacionin e BE-së.

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, vitin e kaluar u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim në lidhje me aksesin e lirë në tregun e punës dhe një Marrëveshje për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor. Për zbatimin e Marrëveshjes është nënshkruar një protokoll i cili rregullon procedurën për qasje  të lirë në tregun e punës në vendet nënshkruese.

“Nënshkrimi i sotëm i memorandumeve të bashkëpunimit, së bashku me bashkëpunimin e krijuar më parë, paraqet pasqyrën e vërtetë të dy vendeve mike, që synojnë ndërtimin e standardeve dhe vlerave evropiane në vendin e tyre, në shtetin e tyre, për qytetarët e tyre”, theksoi Trençevska.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.