20.11.2022

Trençevska për TV Gurra: Kujdesi për kategoritë e cenueshme të qytetarëve është prioritet dhe obligimi ynë

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, foli për disa tema që janë në kompetencë të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në emisionin “Fokus”, në televizionin Gurra nga Kërçova.

Ministrja Trençevska foli për kujdestarinë dhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e familjeve kujdestare dhe rolin e tyre në shoqëri. Për këtë qëllim është duke u zhvilluar fushata “Zgjate dorën – bëhu përkujdesës”, ku Ministria, Qendrat për punë, së bashku me SOS Fshati i Fëmijëve, Instituti për Veprimtari Sociale dhe Komunat janë duke punuar në terren në të gjitha rajonet e vendit.

“Përkujdesja është një nga gjërat më humane që mund të bëjë çdo qytetar që ka kushtet, e kjo është t’u ofrojë ambient të ngrohtë dhe dashuri fëmijëve që kanë mbetur pa prindër dhe pa përkujdesje prindërore. Dhe në vend që të vendosen në institucione, të vendosen në familje, në një atmosferë dhe mjedis të ngrohtë familjar”, tha Trençevska.

Ministrja foli edhe për hapjen e tri qendrave për përkrahje të familjeve kujdestare që janë hapur në vendin tonë, përkatësisht Qendra në Shtëpinë e Fëmijëve "11 Tetori", Shkup, Qendra në Shtëpinë për Foshnjat dhe Fëmijët në Manastir dhe SOS Fshati i Fëmijëve.  Qëllimi i këtyre qendrave është që t'u ndihmojë familjeve kujdestare që të përballojnë më lehtë sfidat dhe këtë e marrin nga ekspertët e këtyre qendrave.

Për momentin në vend numërohen 327 familje kujdestare, në të cilat janë vendosur gjithsej 559 përfituese.

Ministrja Trençevska foli edhe për ligjin e ri për përkrahje financiare për kategoritë e cenueshme të qytetarëve për t'u përballur me krizën energjetike, i cili së fundmi është miratuar nga Kuvendi.

“Me këtë ligj sigurojmë të ardhura shtesë për kategoritë e cenuara të qytetarëve, duke filluar nga muaji dhjetor. Këta janë përfituesit e të drejtës së sigurimit social, përfituesit e një shtese të veçantë, përfituesit e së drejtës për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar, përfituesit me aftësi të kufizuara me ndryshime të përhershme në shëndetësi, të cilët shfrytëzojnë kompensimin për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër dhe nuk të shfrytëzojnë të drejtën e kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar, pa pasur nevojë për ekzaminim kontrolli. Prindërit e vetëm të cilët janë të regjistruar shfrytëzues të ndihmës së garantuar minimale, shfrytëzues të së drejtës për pension deri në 14.000 denarë, shfrytëzues të së drejtës për kompensim të dëmit fizik dhe persona të papunë-përfitues të së drejtës për sigurim material në formë të kompensimit në të holla”, informoi Trençevska.

Ministrja theksoi se këta persona nuk kanë nevojë të aplikojnë, sepse janë në sistemin e Ministrisë, Agjencisë së Punësimit dhe Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor. Për këtë qëllim, listat do të publikohen në faqet e internetit të institucioneve të përmendura. Të drejtë ankese do të kenë personat që nuk janë në listë dhe i plotësojnë kushtet.

Ministrja  foli edhe për ndryshimet e fundit ligjore, me të cilat u rrit me 15% shtesa speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara, për metodologjinë e re të rregullimit të pensioneve sipas së cilës pensionistët marrin rritje të vazhdueshme të pensioneve, si dhe harmonizimin e ri të ndihmës sociale me koston e jetesës nga janari i vitit 2023.

“Nga tetori deri në mars, përfituesit e ndihmës së garantuar minimale dhe të drejtës për siguri sociale do të marrin edhe 1000 denarë shtesë për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të energjisë. Gjatë pandemisë, ne e vazhduam këtë të drejtë për gjatë 12 muajve”, tha Trençevska.

Ministrja foli edhe për rritjen e numrit të kopshteve dhe mbulimin sa më të madh të fëmijëve në zhvillimin dhe edukimin parashkollor, si një nga prioritetet e kësaj Qeverie. “Nga viti 2017 e deri më sot kemi hapur 73 objekte të reja për arsimin parashkollor në të gjithë vendin. Dhe pas shumë vitesh nisën investimet edhe në zonat rurale. Sipas konceptit të një shoqërie për të gjithë, të gjithë fëmijët kanë të drejtë në qasje të barabartë në edukimin dhe arsimin  parashkollor", theksoi Trençevska. Ministrja e përmendi edhe rëndësinë e vendosjes së shërbimit social për ndihmë dhe përkujdesje në shtëpi, të cilën Ministria e zbaton përmes projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale me mbështetjen e Bankës Botërore. Nëpërmjet projektit, deri më tani janë përfshirë 27 komuna në të gjithë vendin, ku gjithashtu u është bërë thirrje edhe komunave të tjera që ende nuk e kanë bërë këtë shërbim që të regjistrohen.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.