21.07.2022
Në Komunën e Pllasnicës është hapur zyra e re rajonale e Qendrës Ndërkomunale për Çështje Sociale, Makedonski Brod
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, së bashku me kryetarin e Komunës së Pllasnicës, Alija Jaoski dhe drejtorin e Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale - Makedonski Brod, Sinisha Radeski, shënuan hapjen e zyrës së re të Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale, Makedonski Brod.
Hapja e zyrës rajonale për çështje sociale është e një rëndësie të veçantë për banorët e Komunës së Pllasnicës të cilët nuk do të udhëtojnë më në Makedonski Brod, për të aplikuar për të drejtat sociale dhe për të shfrytëzuar shërbimet nga sistemi i mbrojtjes sociale. Ata do të mund ta bëjnë këtë në vendbanimin e tyre.
Bëhet fjalë për 900 përfitues të të drejtave nga sistemi i mbrojtjes sociale dhe përfitues të shërbimeve sociale, të cilëve u lehtësohet i gjithë procesi.
Hapësirat për zyrën janë siguruar nga Komuna e Pllasnicës, ndërsa pajisjet për funksionimin e zyrës janë siguruar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për temën e mbrojtjes së fëmijëve. Aktualisht në Pllasnicë funksionon Qendra për Zhvillimin e Hershëm të Fëmijëve dhe u diskutua për nevojën e një kopshti në këtë vendbanim.
Themelimi i shërbimeve sociale përmes Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale ishte temë e takimit të sotëm me kryetarin Jaoski.
Ministrja informoi se së shpejti do të shpallet një thirrje e re për aplikim dhe i bëri thirrje Komunës së Pllasnicës që t'i përgjigjet thirrjes dhe të themelojë një shërbim social që i plotëson nevojat e banorëve të kësaj komune.
Të pranishmit në takim ranë dakord për bashkëpunim të mëtejshëm të frytshëm me qëllim të përmirësimit të shërbimeve sociale dhe afrimit të tyre me qytetarët.