18.08.2022

Trençevska: Po investojmë në mbrojtjen e fëmijëve, një pjesë e Shtëpisë për Foshnje dhe Fëmijë në Manastir shndërrohet në kopsht që do të kujdeset për 80 fëmijë 

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska dhe kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski, sot nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi me të cilën të dyja palët pajtohen që të bashkëpunojnë dhe të veprojnë në kuadër të përcaktimeve të tyre strategjike duke mbështetur aktivitetet me interes publik për avancimin, promovimin dhe mbështetjen e politikave për zhvillimin e mbrojtjes së fëmijëve, për të kontribuar në rritjen e përfshirjes së fëmijëve në kopshte. 

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit parashikon përshtatjen e një pjese të objektit të Shtëpisë së Foshnjave dhe Fëmijëve në Manastir, në kopsht fëmijësh që do të jetë pjesë e IPKKF “Majski vet” - Manastir, me kapacitet për 80 fëmijë, në përputhje me programin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për të lehtësuar realizimin financiar të këtij projekti, të dyja palët nënshkruan një Marrëveshje për furnizime publike në grup. 

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale merr përsipër që nga Buxheti i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për vitin 2022 të sigurojë mjete për kryerjen e punëve ndërtimore, përkatësisht 70% të vlerës totale të projektit, ndërsa Komuna e Manastirit merr pjesë me 30 %. 

Ministrja Trençevska theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes është edhe një konfirmim i kujdesit për më të vegjlit në vendin tonë, si dhe se Manastiri ka shumë nevojë për këtë lloj investimi. 

“Ne si Ministri angazhohemi për bashkëpunim më të madh me komunat dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të vijë pikërisht me përpjekjet e vetëqeverisjes lokale. Mbrojtja e fëmijëve qëndron lartë në agjendën tonë, prandaj ne angazhohemi që sa më shumë fëmijë të jenë pjesë e arsimit dhe edukimit parashkollor. Prandaj i inkurajoj edhe komunat tjera që të parashtrojnë projekte për ndërtim, zgjerim dhe përshtatje të hapësirave me qëllim të rritjes së numrit të kopshteve”, tha Trençevska. 

Në kuadër të investimeve të Qeverisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale në mbrojtjen e fëmijëve, ministrja iu referua rritjes me 15% të pagave të punonjësve në kopshte, çka konfirmon kujdesin edhe  për stafin profesional në kopshte të cilët janë përgjegjës për edukimin e fëmijëve të moshës parashkollore në vendin tonë. 

Kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski e theksoi përkushtimin e komunës për rritjen e kapaciteteve për arsimin parashkollor, me çka do të plotësohen nevojat e qytetarëve të Manastirit dhe do të zvogëlohen listat e pritjes për regjistrimin e fëmijëve në kopshte. 

“Nënshkrimi i marrëveshjeve të sotme është pikërisht në atë drejtim, për të siguruar një kapacitet prej 80 vendesh të reja për fëmijët e moshës parashkollore. Përmes këtyre dy marrëveshjeve praktikisht do të sigurojmë një të ardhme më të mirë për bashkëqytetarët tanë, duke u mundësuar atyre përkujdesje për fëmijët e tyre në një objekt të dedikuar për kopshte”, tha Konjanovski.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.