13.12.2022

U prezantua Propozim-buxheti i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale - 858.3 milionë euro për kategoritë e rrezikuara sociale, pensione më të larta, kopshte të reja dhe masa punësimi

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, bashkë me ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, sot mbajtën konferencë për shtyp me rastin e Propozim-buxhetit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për vitin 2023.

Buxheti total i propozuar i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për vitin 2023 arrin në 858.3 milionë euro dhe mbulon një gamë të gjerë të drejtave të mbrojtjes sociale dhe fëmijëve, sigurimi pensional dhe invalidor, masa për të papunët dhe për punësimin, respektivisht i adreson nevojat e kategorive të rrezikuara të qytetarëve.

Presidenti Kovaçevski iu referua angazhimeve të Qeverisë se në kohë krize ekonomike dhe energjetike, asnjë kategori qytetarësh nuk është lënë anash, por përkundrazi, në listën e prioriteteve ishin dhe mbeten të drejtat materiale të kategorive të cenueshme të qytetarëve, prindërit kryefamiljarë, rastet sociale, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe grupe të tjera qytetarësh.

Ministrja Trençevska theksoi se sistemi i mbrojtjes sociale ka kapacitet për të absorbuar të gjitha familjet në rrezik social.

Aktualisht kemi rreth 36,000 familje – përfitues”të ndihmës së garantuar minimale (NGM), 30,082 fëmijë të përfshirë me shtesë arsimore dhe 47,114 fëmijë – shtesë për fëmijë, sipas pagesës së fundit. Kemi bërë hartën e qytetarëve më të rrezikuar për momentin dhe kemi ofruar mbështetje financiare për trajtimin më të lehtë të krizës energjetike. Për këtë qëllim miratuam Ligjin për përkrahje financiare të kategorive të rrezikuara sociale të qytetarëve për përballimin e krizës energjetike, me të cilin sigurojmë 3.000 denarë në muaj ose gjithsej 12.000 denarë për 4 muaj për secilin përfitues të së drejtës në kompensim. për aftësinë e kufizuar, përfitues të së drejtës së sigurimeve sociale për të moshuarit, përfitues të së drejtës për kompensim për ndihmë dhe përkujdesje për përfituesit e përhershëm të kësaj të drejte, personat që janë prindër të vetëm dhe janë përfitues të NGM dhe përfitues të një shtesë të veçantë”, tha Trençevska.

Ajo gjithashtu informoi se për shërbime sociale janë siguruar 5.5 milionë euro shtesë më shumë se në vitin 2022, respektivisht gjithsej 7.8 milionë euro.”

“Po e zgjerojmë hapësirën dhe aksesin në shërbimet sociale për qytetarët, si: ndihmë dhe kujdes në shtëpi, asistencë personale, jetesë me mbështetje, kujdes në një familje tjetër, qendra mbështetëse për familjet kujdestare, shërbime në qendrat ditore për fëmijët në rrezik dhe në konflikt me ligjin, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, të pastrehët, shërbimet në qendrat e rehabilitimit, ri-integrimit dhe risocializimit, fëmijët viktima të abuzimit, viktima të dhunës në familje, viktima të dhunës me bazë gjinore, viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, të pastrehë, shërbime në qendrat e këshillimit dhe të tjera””, theksoi Trençevska.

Kryeministri Kovaçevski ka trajtuar edhe çështjen e harmonizimit të pensioneve dhe rritjes së vazhdueshme të tyre.

”Zotohemi të sigurojmë zgjidhjeve sistemore që japin rezultate në afat të gjatë. Ajo ishte edhe pikënisja kur e përpilonim edhe metodologjinë e re për harmonizimin e pensioneve, me të  cilën  siguruam rritje të vazhdueshme të pensioneve, që nuk do të varet nga vullneti apo vendimi politik i askujt. Kështu vazhdojmë edhe në vitin 2023, pensionet do të rriten përsëri në mars të vitit 2023. Me metodologjinë e re që miratuam, pensionet harmonizohen dy herë në vit, shtator dhe mars, dhe atë 50% me shpenzimet për jetesë dhe 50% me pagën mesatare. Pensionet gjithsej do të rriten për 16% gjatë një viti kalendarik për të gjithë 330,000 pensionistë.

Në mars të vitit 2023 pensionet do të harmonizohen sërish. Propozimi i buxhetit për vitin 2023 parashikon 499.9 milionë euro, mjete që do të transferohen në Fondin e Sigurimit  Pensional  dhe Invalidor për pagesën e pensioneve.

“Në buxhetin për vitin 2023, krahasuar me vitin 2022, transferi në FSPIM është rritur për 7,3 milionë euro në krahasim me vitin 2022, me të cilin parashihen mjete për mbështetje shtesë financiare për pensionistët me të ardhura më të ulëta në përputhje me Ligjin për mbështetje financiare”, tha Trençevska.

Përkrahje financiare është siguruar edhe për personat e papunë-përfitues të së drejtës për sigurim material në formë të kompensimit në të holla prej 3.000 denarë në muaj (respektivisht 12.000 denarë për 4 muaj) si kategori e synuar e cenueshme sipas Ligjit për mbështetje financiare, me të cilin do të përfshihen rreth 5238 persona.

Mbështetje financiare do të marrin gjithashtu dhe qytetarët me rrezikshmëri sociale sipas Ligjit për mbështetje financiare për kategoritë e cenuara për ballafaqim me krizën energjetike. Për 4 muaj do të marrin nga 3000 denarë ose gjithsej 12.000 denarë.

Kryeministri Kovaçevski nënvizoi se investimet në mbrojtjen e fëmijëve vazhdojnë edhe gjatë vitit 2023.

Ministrja Trençevska informoi se në Propozim-buxhetin për vitin 2023 janë paraparë mjete për investime kapitale prej 2,6 milionë euro, prej të cilave 2,2 milionë euro për mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa 417 mijë euro për mbrojtjen sociale. Me ndërtimin dhe zgjerimin e kopshteve të planifikuara, mbulimi do të rritet edhe për rreth 500 fëmijë.

Për më tepër, përmes Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale, po ndërtohen dhe pajisen kopshte të reja, të cilat do të rrisin numrin e fëmijëve në edukimin parashkollor për rreth 450 fëmijë. Këto kopshte të reja nënkuptojnë hyrjen edhe të 950 fëmijëve në edukimin parashkollor.

Suksesi i Planit Operativ 2022 është një arsye tjetër për të rritur buxhetin për programe dhe masa aktive këtë vit, “respektivisht do të jetë 30.5 milionë euro. Është e një rëndësie të veçantë sepse përmes masave që krijojmë ne hartojmë nevojat e tregut të punës dhe aktivizojmë të papunët dhe të rinjtë dhe i përforcojmë kompetencat e punëtorëve të pakualifikuar. Ne i mbështesim qytetarët në idetë e biznesit dhe investojmë në investime të gjelbra”. theksoi Trençevska.

Propozim-buxheti për vitin 2023 i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, përveç që është përgjigje për zbutjen e pasojave të krizës, ka edhe komponent zhvillimor, ngritjen e standardit të jetesës së qytetarëve dhe investime kapitale për përmirësimin e cilësisë së jetës  për të gjithë në vend.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.