24.12.2022
Trençevska: Raportimet e shpeshta të bullizmit në shkollë janë motivimi ynë për të filluar ta ndryshojmë sistemin
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, ishte në vizitë në qendrën për ballafaqim me bullizëm “Lika Ritz” në Zagreb. Qendra është e hapur që nga viti 2017 dhe ofron kujdes të plotë dhe sistematik për fëmijët dhe të rinjtë në rrezik. Puna e tyre përfshin të gjithë ata që janë pjesë e edukimit arsimor ose janë pjesë e përditshmërisë së fëmijëve dhe të rinjve.
Qëllimi i qendrës është të përmirësojë aftësitë prindërore, të përmirësojë aftësitë sociale të fëmijëve dhe të rinjve, të kontribuojë në parandalimin e dhunës dhe formave të tjera të sjelljes së rrezikshme, të ndihmojë në kapërcimin e vështirësive tek fëmijët dhe të rinjtë duke krijuar kushte për zhvillimin e një qëndrim të përgjegjshëm ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë si dhe përmirësimin e kompetencave të ekspertëve që marrin pjesë në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve.
“Kur ballafaqohemi me sfida në shoqërinë tonë, gjithmonë duhet t'i qasemi zgjidhjes së tyre me vendosmëri. Raportimi i shpeshtë i bullizmit në shkolla është motivimi ynë për të filluar ndryshimin e sistemit dhe krijimin e shërbimeve të reja të cilat do të shfrytëzohen nga fëmijët, prindërit dhe e gjithë shoqëria. Këtë do ta bëjmë vetëm duke ndjekur shembuj më të mirë”, tha Trençevska.
Ministrja në komunikim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e qendrës, theksoi se shembulli i tyre do të jetë i një rëndësie të veçantë në avancimin e politikave, masave dhe shërbimeve të krijuara nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.