03.10.2022

Trençevska: Qendra Ditore për Fëmijë me Aftësi të Kufizuara në Likovë e konfirmon suksesin e reformës sociale 

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, së bashku me kryetarin e Komunës së Likovës, Erkan Arifi, kanë vizituar Qendrën e specializuar ditore për fëmijë me aftësi të kufizuara, që gjendet në vendbanimin Orizare. 

Pas përafërsisht një viti nga marrja e licencës për kryerjen e veprimtarisë në fushën e mbrojtjes sociale, në këtë Qendër ditore moderne të specializuar qëndrojnë 14 fëmijë në baza ditore dhe ka një kapacitet prej 38 fëmijëve me aftësi të kufizuara nga disa vendbanime të komunës së Likovës. Ngritja e këtij shërbimi social dhe funksionimi i kësaj Qendre ditore janë pjesë e Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale të realizuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, me mbështetjen e Bankës Botërore. 

“Më gëzon shumë të shoh që kjo Qendër po funksionon me sukses dhe që kemi vërtet një progres të jashtëzakonshëm me fëmijët që qëndrojnë këtu. Përgëzoj të gjithë stafin që me punën e tyre të përkushtuar dhe profesionale sigurojnë që këta fëmijë me aftësi të kufizuara që jetojnë në vendbanime më të vogla të kenë mundësi të barabarta për t’u integruar në jetën arsimore dhe sociale. Kjo përkon me angazhimet e Qeverisë dhe Ministrisë, si dhe me qëllimet bazë të reformës sociale, që është ofrimi i aksesit në shërbimet e nevojshme sociale për të gjithë ata që kanë nevojë për to, duke përfshirë grupet më të ndjeshme në shoqëri, si dhe ata që jetojnë në zonat rurale dhe të thella të vendit. Themelimi dhe funksionimi i suksesshëm i kësaj Qendre është treguesi më i mirë se reforma sociale ka qenë e suksesshme”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska. 

.

Kjo Qendër menaxhohet nga Shoqata “Imago Plus”, punonjësit e së cilës, të cilët kanë licenca për këtë lloj veprimtarie, përmes një qasjeje individuale, ofrojnë trajtim profesional dhe ekspert për kujdesin dhe rehabilitimin e çdo fëmije në Qendër, duke i përgatitur ata që me sukses të integrohen në jetën arsimore dhe shoqërore. Shërbimi që marrin fëmijët në këtë Qendër ofron terapi individuale, grupore dhe profesionale që i ndihmon fëmijët të ruajnë dhe përmirësojnë shëndetin e tyre dhe në të njëjtën kohë të inkurajojnë zhvillimin e tyre intelektual, emocional dhe social. Gjithashtu, në këtë Qendër zhvillohen këshillime profesionale dhe punëtori për të mbështetur prindërit e fëmijëve. 

Likova ishte një nga komunat që në partneritet me shoqatën “Imago Plus” aplikuan në thirrjen e parë publike dhe morën mjete nga Projekti për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale, i cili mundësoi themelimin dhe zhvillimin e shërbimit të kujdesit për fëmijë me aftësi të kufizuara që jetojnë në territorin e kësaj komune. 

“Falë bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe “Imago Plus”, arritëm që pas më shumë se dhjetë vitesh të kompletojmë dhe aktivizojmë këtë Qendër, në mënyrë që fëmijët me aftësi të kufizuara nga komuna jonë të fillojnë të marrin trajtim bashkëkohor dhe kujdes të nevojshëm, gjë që sigurisht e meritojnë. Pavarësisht burimeve të kufizuara financiare që kemi si komunë rurale, të cilat në kushtet e krizës energjetike po zvogëlohen gjithnjë e më shumë, ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë këtë Qendër në çdo mënyrë, duke mundësuar kështu funksionimin e saj të papenguar dhe të suksesshëm në dobi të fëmijëve”, tha kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi. 

Shoqata “Imago Plus”, e cila menaxhon Qendrën Ditore në Orizare, ka një përvojë shumëvjeçare në punën me fëmijët me aftësi të kufizuara. Së fundmi, kjo Qendër ka plotësuar kushtet e nevojshme, në mënyrë që financimi i shërbimeve sociale, i realizuar deri më tani përmes Projektit, të vazhdojë të realizohet edhe në të ardhmen përmes sistemit të financimit qendror nga buxheti i shtetit. 

“Jemi të kënaqur që si ekip, përmes një qasjeje profesionale dhe me mbështetjen që marrim nga institucionet kompetente në nivel qendror dhe lokal, tashmë në vitin e parë të punës së qendrës, krijuam kushte dhe mundësi të përshtatshme për fëmijët me aftësi të kufizuara nga vendbanimet e komunës së Likovës. Rezultatet e deritanishme në punë, si dhe hyrja në sistemin e financimit qendror nga buxheti, më tej na inkurajojnë që të vazhdojmë të zhvillojmë më tej, në mënyrë që të ofrojmë kujdes dhe mbështetje sa më të mirë për fëmijët”, tha Zemrijet Bela Veseli, kryetare e “Imago Plus”. 

Për kujdesin, trajtimin dhe aktivitetet e përditshme të fëmijëve që qëndrojnë në Qendrën Ditore kujdeset një ekip ekspertësh i përbërë nga pesë specialistë, përkatësisht: rehabilitator dhe edukator, logoped, psikolog, punonjës social dhe fizioterapist. 

“Për ne, si njerëz që i kemi kushtuar jetën profesionale për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë, veçanërisht fëmijët me aftësi të kufizuara, është një kënaqësi e madhe kur shohim frytet e punës sonë. Jemi të kënaqur me progresin që kemi bërë deri më tani në punën me fëmijët që vijnë në Qendrën tonë ditore dhe besojmë se ajo që do të arrijmë këtu së bashku do t’i ndihmojë fëmijët të kenë një zhvillim të suksesshëm personal dhe profesional dhe një jetë cilësore në të ardhmen”, shpjegon koordinatorja e Qendrës Ditore, Arineta Nuhia. 

Në kuadër të Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale, që është një nga instrumentet për mbështetjen e reformës sociale të zbatuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, deri më tani janë mbështetur 22 projekte në 27 komuna në të gjithë vendin. Shumica e këtyre projekteve janë të destinuara për ndihmë dhe përkujdesje të të moshuarve në shtëpitë e tyre, ndërsa pjesa tjetër janë për shërbimet: kujdesi ditor për të moshuarit me moshë aktive, kujdesi ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe rehabilitimi, si dhe kujdesi ditor, rehabilitimi. dhe ri-integrimi i personave me aftësi të kufizuara dhe këshillimi. Mbi 300 persona janë trajnuar dhe licencuar për të ofruar këto shërbime sociale, të cilët ofrojnë kujdes adekuat për rreth 700 përfitues.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.