19.09.2022

Trençevska: Lufta kundër dhunës duhet të jetë e vazhdueshme, këshillimoret e specializuara janë mbështetje e rëndësishme për viktimat 

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, e vizitoi Qendrën e specializuar këshilluese për gra dhe vajza viktima të dhunës gjinore dhe familjare dhe fëmijët e tyre, EHO -Shtip. 

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të organizatës ndërkombëtare UN WOMEN dhe Asociacionit për Edukim dhe Kërkim Shëndetësor-HERA, me mbështetjen e të cilëve u themelua kjo qendër e specializuar këshilluese në Shtip. 

Që nga hapja e Qendrës së këshillimit në më pak se një vit, 176 viktima të dhunës kanë aplikuar për ndihmë juridike falas dhe mbështetje psiko-sociale. 

“Lufta kundër dhunës duhet të jetë konstante dhe përmes formave të ndryshme të ndihmës dhe mbështetjes për viktimat e dhunës, duhet ta kundërshtojmë së bashku me synimin për ta çrrënjosur plotësisht atë”, tha ministrja Trençevska. 

Ajo theksoi se është me rëndësi të madhe krijimi i qendrave të tilla këshillimore në një numër sa më të madh dhe që të mbulojnë të gjitha rajonet planifikuese, sepse në këtë mënyrë mundësohet që ato të jenë afër dhe të aksesueshme për qytetarët, gjegjësisht për viktimat e dhunës. 

“Angazhimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, edhe pas ratifikimit të Konventës së Stambollit dhe miratimit të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Grave dhe Dhunës në Familje, është zgjerimi i shërbimeve për viktimat e dhunës. por me rëndësi të madhe është edhe krijimi i shërbimeve që do të punojnë edhe me autorët e dhunës në familje, sepse dhuna në familje është problem kompleks”, theksoi Trençevska. 

Në 10 muajt e fundit, EHO ka ofruar mbi 200 shërbime të specializuara këshilluese me mbështetje teknike dhe mentoruese nga HERA dhe me mbështetje financiare nga Komisioni Evropian, të ofruara përmes Zyrës së UN VOMEN në vend. 

“HERA është e përkushtuar në zhvillimin e kapaciteteve të ofruesve lokalë të shërbimeve në mënyrë që ata të mund t'ua shtrojnë dorën grave dhe fëmijëve që i kanë mbijetuar dhunës. Midis tyre ka gra dhe vajza me aftësi të kufizuara, si dhe gra dhe vajza nga zonat rurale, të cilat ndoshta nuk do të mund të merrnin ndihmë nëse ajo nuk është e disponueshme në vend. Ne përpiqemi që shërbime të tilla të jenë falas për gratë dhe vajzat në mbarë vendin, në të cilat ekipet multisektorale dhe bashkëpunimi ndërmjet shtetit dhe sektorit civil janë kyçe”, theksoi Elizabeta Bozhinoska, drejtoreshë programore e HERA. 

Vesna Ivanoviq-Kastared, shefe e zyrës së UN WOMEN (UN Women) në Shkup, e theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Konventës së Stambollit dhe përpjekjeve që UN WOMEN po bën në vendin tonë. Veprimtaritë e këtij organi të Kombeve të Bashkuara për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave fokusohen në mbështetjen e sektorit civil në mënyrë që të përballet me sfidat e vendosura nga vetë konventa ndërkombëtare dhe detyrimi i shtetit për ta zbatuar atë. Kjo nënkupton edhe sigurimin e qëndrueshmërisë së këtij lloji të Qendrave të specializuara të këshillimit për të cilat nevoja është më se e dukshme. 

“Gratë viktima të dhunës duhet të marrin ndihmën që u nevojitet urgjentisht, të dinë se kanë ku të drejtohen, të mbrohen dhe të marrin këshilla dhe mbështetje. Kjo është arsyeja pse ekzistenca e Qendrave të tilla dhe stafi i trajnuar është thelbësor. Në të njëjtën kohë, ne po punojmë për të rritur ndërgjegjësimin se çdo formë e dhunës ndaj grave është një shkelje e papranueshme e të drejtave të njeriut dhe nuk duhet toleruar. Organi i OKB-së për barazi gjinore dhe fuqizim të grave në bashkëpunim me të gjithë partnerët vazhdon të ofrojë mbështetje për zbatimin e Konventës së Stambollit”, tha Vesna Ivanoviq-Kastared. 

Këto shërbime të specializuara falas mundësohen përmes projektit “Ofrimi i ndihmës juridike dhe mbështetjes psikosociale falas për të paktën 200 gra që u përkasin pjesëtareve të minoriteteve dhe grupeve të ndjeshme. 

“Ka nevojë për shërbime të tilla, prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme të sigurohet qëndrueshmëria e tyre. Shërbimet tona i shfrytëzojnë jo vetëm gratë nga Shtipi, por edhe nga zonat përreth në rajon. Ne punojmë edhe me personat me aftësi të kufizuara, ku zbatojmë një protokoll të posaçëm pune, si dhe me persona nga komunitetet lokale pakicë”, tha Beti Pejeva. 

Gjatë këtij viti, HERA, përmes disa trajnimeve të specializuara dhe me mbështetje të vazhdueshme mentoruese, po punon në zhvillimin e kapaciteteve të EHO-s, në mënyrë që të sigurojë shërbime me cilësi të lartë dhe të standardizuara. 

Organizata edukative - humanitare EHO - Shtip ka më shumë se 20 vite që punon për të siguruar mbështetje për gratë dhe vajzat viktima të dhunës gjinore dhe familjare dhe që nga nëntori i vitit të kaluar e menaxhon me sukses këtë Qendër të specializuar këshillimore.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.