21.04.2022

Trençevska: Pensioni më i lartë për rreth 1000 denarë me pagesën e shtatorit dhe 3000 denarë mbështetje financiare, përmirësojmë statusin e pensionistëve

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot takoi kryetaren e Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve, Stanka Trajkova dhe disa nga përfaqësuesit e sindikatës.

Në takim u diskutuan tema që prekin pensionistët dhe kanë për qëllim përmirësimin e standardit të jetesës së kësaj kategorie të rrezikuar të qytetarëve.

Ndryshimet e fundit në Ligjin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor, i cili ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2022, e vendos një mënyrë e re e harmonizimit të pensioneve. Sipas metodologjisë së re me pagesën e pensioneve të shtatorit, ato do të harmonizohen me një model të kombinuar prej 50% rritje të pagës mesatare dhe 50% rritje të kostos së jetesës.

“Sipas analizave fillestare që kemi dhe janë marrë nga Ministria e Financave, harmonizimi në përputhje me ndryshimet në ligj do të kontribuojë në rritjen e pensioneve me të paktën 6%. Nëse pensioni mesatar aktualisht është 16.300 denarë, me këtë rregullim, pensioni do të rritej për rreth 1000 denarë. Kjo shumë nuk është definitive, mund të jetë më e lartë ose më e ulët varësisht nga të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) sipas të cilave do të rregullohen pensionet”, tha Trençevska.

Ajo shtoi se përveç metodologjisë së re për korrigjimin e pensioneve, për tre muaj është siguruar mbështetje financiare prej 1000 denarë, me qëllim zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike dhe goditjes së çmimeve të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë dhe pasojat e tij.

330 mijë pensionistë kanë marrë tashmë mbështetjen e parë financiare për muajin mars dhe me dy pensionet e ardhshme do të marrin edhe pjesën e mbetur të ndihmës.

Ministrja iu referua edhe vendimit për pagesë të rregullt dhe të parakohshme të pensioneve në kohë pandemie, praktikë që do të vazhdojë edhe më tej.

“Pensionistët tanë kanë të drejtën e një pleqërie dinjitoze, një jetë të denjë dhe të qetë në moshën e pjekurisë. Po krijojmë një sistem sipas të cilit pensionistët do të kenë siguri dhe rritje të vazhdueshme të pensioneve të tyre”, tha ministrja.

Në takim, ministrja i njoftoi përfaqësuesit e Sindikatës për ngritjen e shërbimeve sociale në nivel lokal. Shërbimi i ndihmës dhe kujdesit për të moshuarit në shtëpi, i ofruar nga kujdestarë të trajnuar që ndihmojnë të moshuarit në kryerjen e aktiviteteve të tyre të përditshme.Bashkëbiseduesit shprehën besimin se bashkëpunimi i deritanishëm do të vazhdojë. Kujdesi dhe mirëqenia e pensionistëve mbetet prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.