23.11.2022

Trençevska nga Stambolli: Përforcimi i sistemit, mbështetja e grave në tregun e punës, lufta kundër dhunës në familje dhe në bazë gjinore, janë mjetet që shërbejnë për të përforcuar të gjithë shoqërinë

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot mbajti fjalim në konferencën rajonale me titull: “Financimi transformues si përshpejtues për barazinë gjinore: shfrytëzimi i përvojave nga buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe leksionet e mësuara, organizuar nga Zyra rajonale e “UN Women”, që po mbahet sot dhe nesër në Stamboll të Republikës së Turqisë.

Ministrja Trençevska foli në panelin e diskutimit me titull: “Liderizmi dhe perspektivat e politikëbërësve për buxhetim të përgjegjshëm gjinor”, së bashku me ministrat nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

Në këtë Panel, të organizuar si një panel ministror i nivelit të lartë, u prezantua pikëpamjet për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor me fokus në proceset dhe arritjet kryesore në zbatimin e tij, si dhe hapat e ardhshëm për avancimin e mëtejshëm të institucionalizimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.

Ministrja Trençevska informoi se iniciativat buxhetore të përgjegjshme gjinore në Republikën e Maqedonisë së Veriut zbatohen që nga viti 2009 nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe se Sektori për Mundësi të Barabarta që është në kuadër të Ministrisë, është përgjegjës për zbatimin e buxhetit me përgjegjësi gjinore dhe për koordinimin e aktiviteteve të ministrive të tjera dhe Njësive të vetëqeverisjes lokale në lidhje me zbatimin e iniciativave të buxhetimit gjinor. 

“Deri më sot, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është pilotuar në 14 ministri resore dhe 3 agjenci shtetërore me mentorim të vazhdueshëm ekspertësh të ofruar nga “UN Women”. Sipas metodologjisë, ministritë gjegjëse dhe institucionet shtetërore janë të detyruara të kryejnë një analizë me bazë gjinore të një programi sektorial specifik dhe të zhvillojnë indikatorë autput gjinorë, si dhe të vazhdojnë të monitorojnë progresin në zbatimin e programeve të përzgjedhura dhe ndikimin e tyre. Qëllimi ynë është që në mënyrë sistematike t'i zgjidhim problemet duke krijuar një sistem që do të funksionojë”, tha Trençevska.

Ajo theksoi se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në bashkëpunim me zyrën e UN Women në Shkup, në mars të këtij viti e themeloi Qendrën Burimore për politikëbërje dhe buxhetim të përgjegjshëm gjinor, e cila është pjesë e planit të punës dhe programit të planifikuar të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe në përputhje me Programin e Punës së Qeverisë. 

“Qendra burimore ofron mbështetje ekspertiale, praktika të mira, hulumtime, burime dhe trajnime për ngritjen e kapaciteteve të nëpunësve publikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në fushën e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. Kjo është Qendra e parë e tillë e hapur në rajon dhe synon që në të ardhmen të shndërrohet në Qendër rajonale të dijes”, tha Trençevska.

Qendra Burimore ofron trajnime dhe mentorim për të përmirësuar kapacitetet e nëpunësve civilë në fushën e barazisë gjinore dhe buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. Që nga themelimi i Qendrës Burimore janë kryer 28 trajnime me 9 tema të ndryshme, në të cilat janë trajnuar gjithsej 364 persona.

Ministrja iu referua edhe miratimit të Strategjisë për Barazi Gjinore 2022-2027, e cila është dokumenti strategjik bazë që vendos një kornizë gjithëpërfshirëse për aktivitetet e mëtejshme që synojnë promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Ministrja e theksoi vendosmërinë e shtetit për të mbrojtur gratë nga dhuna dhe dhuna me bazë gjinore, gjë që na bëri të jemi ndër vendet e para që nënshkruan Konventën për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit). Dhe, për zbatimin e plotë të Konventës, në vitin 2021 është miratuar Ligji i parandalimit dhe i mbrojtjes nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje. 

“Përforcimi i sistemit, mbështetja e gruas në procesin e përfshirjes në tregun e punës, lufta kundër dhunës në familje dhe me bazë gjinore, janë mjete që e forcojnë të gjithë shoqërinë. Me çdo veprim investojmë në gjeneratat e ardhshme, investojmë në fëmijë që do të rriten në frymën e barazisë dhe mosdiskriminimit, investojmë në çrrënjosjen e dhunës transgjenerative, investojmë në themelet e forta të shtetit”, theksoi Trençevska. 

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.