16.03.2022

Trençevska: Përfshirja sociale dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor janë prioritete për të cilat ne vazhdojmë të punojmë me përkushtim

“Përfshirja sociale dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor, mbështetja e plotë e personave në rrezik social dhe të rinjve në tregun e punës mundësojnë rritje të përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike dhe zhvillim drejt një standardi më të mirë të jetesës”, tha në takimin e sotëm online të Grupit punues të sektorit të arsimit, punësimit dhe politikës sociale, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

Në takim morën pjesë zëvendëskryeministrja për Çështje Evropiane Mariçiq, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Shaqiri dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile.

Ministrja theksoi se në një kohë kur shoqëria jonë po përballet me sfidat e pasojave të krizës, është veçanërisht e rëndësishme që së bashku të vazhdojmë me përpjekjet e vazhdueshme për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe përmirësimin e gjendjes sociale dhe kushteve të jetesës dhe punës së qytetarëve në përgjithësi.

“Kemi treguar se puna e punëtorit vlerësohet, veçanërisht në kushtet e pandemisë, krizës energjetike dhe presioneve inflacioniste. Presim që rritja e pagës minimale dhe mesatare dhe të gjitha masat dhe përpjekjet që janë ndërmarrë në atë drejtim do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe nxitjen e aktivitetit ekonomik, produktivitetit të punës, si dhe konkurrencës. Njëkohësisht, kujdesemi për standardin jetësor të të moshuarve sepse e dimë se pensionet kanë ndikim të jashtëzakonshëm në varfërinë e përgjithshme në vendin tonë”, tha ministrja Trençevska.

Ajo theksoi se për një rritje ekonomike më të shpejtë, më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme dhe rikuperimin e sa më shumë qytetarëve nga varfëria, investimet në mbrojtjen sociale janë vendimtare, për aktivizimin e grupeve të rrezikuara në tregun e punës.

Në takim, ministrja theksoi se ulja e papunësisë tek të rinjtë dhe të papunët afatgjatë, përmirësimi i kushteve të punës, duke përfshirë sigurinë dhe shëndetin në punë, lufta kundër varfërisë, disponueshmëria dhe qëndrueshmëria e shërbimeve sociale cilësore dhe procesi i deinstitucionalizimit, sigurimi social i të moshuarve, investimet tek fëmijët, mbështetja për integrimin e përmirësuar të romëve, promovimi i barazisë gjinore dhe parandalimi dhe mbrojtja nga diskriminimi dhe dhuna me bazë gjinore mbeten segmente kyçe që kanë nevojë për mbështetje.

Në takim përfaqësuesit e sektorëve prezantuan në detaje të arriturat e deritanishme, prioritetet afatmesme dhe afatgjata që dalin nga prioritetet e përcaktuara në Programin e Punës së Qeverisë së RMV-së dhe strategjitë përkatëse.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.