10.03.2022
Trençevska - Ludva: Republika Çeke mbështet fuqishëm Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit evropian
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot takoi ambasadorin e Republikës Çeke në Republikën e Maqedonisë së Veriut N.E. Jaroslav Ludva, ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet dy vendeve, veçanërisht me Ministrinë Çeke përgjegjëse për Punën dhe Politikën Sociale.
Ministrja Trençevska theksoi se përvoja e Republikës Çeke është me rëndësie të madhe për ne, veçanërisht në fushën e kujdesit për personat nga grupet e rrezikuara, shërbimet sociale, sigurimet sociale, tregun e punës dhe politikat e punësimit, marrëveshjet kolektive dhe kontratat sociale. Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi në këto fusha duhet të intensifikohet dhe thellohet.
Në takim u bisedua edhe për procesin integrues evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për përpjekjet që vendi ka bërë në vitet e fundit për harmonizimin e legjislacionit vendor dhe atij evropian, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ambasadori Ludva rikonfirmoi mbështetjen e Republikës Çeke për integrimet evropiane të vendit dhe shprehu shpresën se kjo do të ndodhë së shpejti, sepse vendi realisht po investon.
“Republika Çeke do të marrë presidencën e Këshillit të BE-së më 1 korrik të këtij viti dhe shpresoj se negociatat do të fillojnë në këtë periudhë”, tha ambasadori Ludva.
Trençevska shprehu mirënjohje për mbështetjen e fuqishme të Republikës Çeke për anëtarësimin tonë në NATO, si dhe për mbështetjen për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
“Të dy vendet kanë bashkëpunim të shkëlqyer bilateral dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë të gjitha proceset e filluara dhe ta pasurojmë bashkëpunimin përmes realizimit të projekteve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit”, tha Trençevska.
Bashkëbiseduesit shprehën besimin për vazhdimin e bashkëpunimit të vendosur mes dy vendeve.