07.03.2022

Trençevska: Ekonomia e kujdesit - pjesë e reformës sociale të vendit, 600 përfitues do të marrin kujdes nga 150 kujdestarë të trajnuar

Nën sloganin "Gratë e forta - komunitete të forta", sot në Filarmoninë e Maqedonisë në organizim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, në bashkëpunim me UNDP-në, Ambasadën e Zvicrës dhe Agjencinë e Punësimit, në prag të 8 marsit u mbajt manifestimi - Dita Ndërkombëtare e Gruas. Përfshirja e grave në të gjitha segmentet e jetës shoqërore, me theks të veçantë në programet e punësimit për gratë vështirë të punësuara në komunitet ishte tema kryesore e ngjarjes.

Ministrja Trençevska theksoi se për të shpallur një shoqëri demokratike dhe moderne, ajo duhet të sigurojë një qasje të barabartë dhe mundësi të barabarta për gratë dhe burrat për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë.

“Qëllimi ynë është të mbështesim të gjitha gratë, të krijojmë politika që do të nënkuptojnë përmirësimin e pozitës së tyre. Gratë sipërmarrëse, gratë nga zonat rurale, gratë vështirë të punësuara, gra punëtore, politikane, amvise. Një qasje individuale për çdo problem, për çdo specifikë me të cilën këto gra përballen çdo ditë”.

“Gratë e forta – komunitete të forta” nuk duhet të jetë vetëm një frazë, por përmes aktiviteteve dhe masave konkrete të fokusohemi realisht në fuqizimin e grave, e me këtë edhe të komuniteteve, dhe të gjithë shoqërisë”, tha Trençevska.

Vitin e kaluar, me Planin Operativ të Programeve dhe Masave Aktive, u pilotua një sërë masash të reja, të cilat në kuadër të Programit “Ekonomia e Kujdesit” u japin grave mundësinë të trajnohen, të punojnë dhe njëkohësisht të marrin pjesë në ofrimin e shërbimeve sociale.

“Ekonomia e kujdesit po bëhet pjesë e reformës sociale në vend dhe është një hap përpara në agjendën sociale që synon zgjidhjen e problemeve të kategorisë së rrezikuar të qytetarëve që kanë nevojë për punësim, por edhe përkujdesje. Njëkohësisht paraqet edhe mbështetje për proceset e deinstitucionalizimit dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, që qytetarëve u jep përfitim të drejtpërdrejtë në shtëpinë e tyre, në vendbanimin”, tha Trençevska.

Në kuadër të dy masave pilot do të arrihen në të njëjtën kohë dy synime shumë të rëndësishme: ofrimi i punësimit të ri dhe rritja e punësimit së të papunëve të rrezikuar dhe njëkohësisht ofrimi i shërbimeve sociale të realizuara në komunitetet lokale.

“Besoj se personat e papunë që do të përfshihen në këtë program në planin afatgjatë do të jenë në dobi të madhe për komunitetin dhe do të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për bashkëqytetarët e tyre që kanë më shumë nevojë dhe kështu do t'ua bëjnë jetën më të bukur dhe më të lumtur. Dora e ndihmës e të sëmurëve dhe të dobëtit është e paçmuar. Agjencia e Punësimit është krenare që është pjesë e Planit Operativ dhe që së bashku me partnerët e saj ka mundësinë të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së përdoruesve të shërbimeve të saj”, tha drejtori i APRMV-së, Bekim Murati.

Aktivitetet janë në përputhje me Objektivat e OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm, si dhe në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

"Ky lloj i shërbimeve sociale që synon drejtpërdrejt kategoritë e rrezikuara kontribuon në ndërtimin e një infrastrukture të qëndrueshme në çdo nivel duke promovuar shërbime gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për përfitimin reciprok të të gjithëve. Qytetarët marrin shërbimet sociale shumë të nevojshme direkt në shtëpi dhe të papunët marrin punësim të qëndrueshëm dhe cilësor. Gjithashtu, me këtë iniciativë, ne po përkthejmë drejtpërdrejt Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në jetën reale duke njohur të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në një standard adekuat jetese dhe mbrojtje sociale”, theksoi Armen Grigorjan, Përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në vend.

Aktivitetet mbështeten edhe nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

“Zvicra ka vite që promovon barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në çdo fushë. Mbështetja e zhvillimit të këtij sektori ofron një mundësi të re jo vetëm për vlerën etike të ekonomisë së kujdesit, por edhe për përfitimet ekonomike të fuqizimit të grave, të cilat përfaqësojnë një pjesë të madhe të fuqisë punëtore në këtë sektor," tha Veronik Ullmann, ambasadorja e Zvicrës. 

190 persona të papunë do të kenë mundësi t'i nënshtrohen trajnimeve të dëshmuara për kujdestarë - asistente në disa fusha, dhe kështu më pas do të punësohen në shërbimet sociale të krijuara dhe të menaxhuara nga organizatat joqeveritare - ofrues të shërbimeve si partnerë të MPPS-së dhe APRMV-së.

Gjashtë organizata joqeveritare të sapoformuara sot kanë pranuar marrëveshjet me të cilat zyrtarisht bëhen pjesë e aktiviteteve për ofrimin e shërbimeve sociale në nivel lokal. Masat do të mbulojnë rreth 600 përfitues final në mbarë vendin në vitin e parë dhe do të krijojnë rreth 150 vende pune, kryesisht për femra.

Gjithashtu, me këtë nismë të re, u krijuan lloje të reja shërbimesh sociale për të njëjtat profile të reja profesionesh që nuk ekzistonin si të tilla më parë (asistent dhe kujdestar për personat me sëmundje Alzheimer, asistent dhe kujdestar për personat me sklerozë të shumëfishtë, si dhe për personat e tjerë të varur me ndihmë dhe mbështetje nga dikush tjetër).

Programet e punësimit për grupet e rrezikuara nëpërmjet ekonomisë kujdestarisë do të jenë pjesë e Planit të ri Operativ të masave aktive dhe programeve të punësimit për vitin 2022.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.