08.04.2025
Të rinjtë mund të udhëheqin dhe të ri-energjizojnë zhvillimin e qëndrueshëm
Rreth shtatëdhjetë përfaqësues të të rinjve, këshillave rinorë, organizatave, si dhe përfaqësues të autoriteteve lokale dhe qendrore dhe familjes së OKB-së janë në Ohër, duke shkëmbyer praktikat më të mira për përshpejtimin e agjendave të RPS-së dhe GPS-së.
Kur u jepet një shans, të rinjtë mund të udhëheqin dhe të rigjallërojnë komunitetet e tyre drejt një të ardhme më paqësore, të begatë, të barabartë dhe më të gjelbër për të gjithë. Ky ishte përfundimi i diskutimeve në konferencën e parë rajonale dy-ditore “Rrugët drejt rinisë, paqes dhe sigurisë (RPS) dhe gratë, paqja dhe siguria (GPS): Perspektivat rajonale, përvojat dhe njohuritë”, që po mbahet në Ohër (8-9 prill 2025).

“Këshillat rinorë lokalë, për shembull, janë një mjet i shkëlqyeshëm për zbatimin e agjendës së Rinisë, paqes dhe sigurisë në nivel lokal. Ato janë një formë e bashkëpunimit midis të rinjve dhe vendimmarrësve lokalë dhe rrisin pjesëmarrjen rinore. Këshillat rinorë lokalë mund të kanalizojnë idetë e të rinjve dhe të kontribuojnë për të pasur politika më miqësore ndaj të rinjve ”, tha Igor Josifoski, kryetar i Këshillit Rinor të Ohrit.
Kjo konferencë shënon fillimin e një faze të dytë të projektit të përbashkët rajonal të OKB-së "Të Rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim", i cili përqendrohet në fuqizimin e të rinjve për të nxitur ndryshime pozitive dhe për të nxitur kohezionin social në shoqëritë dhe komunitetet në të cilat ata jetojnë në të gjithë rajonin.
“Të rinjtë dhe gratë janë shtylla të domosdoshme të ndryshimit pozitiv në shoqërinë moderne, dhe si Qeveri ne jemi thellësisht të përkushtuar për përfshirjen e tyre aktive në proceset e paqes dhe sigurisë”, thotë Fatmir Limani, Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

“Përmes Strategjisë Nacionale të të Rinjve 2023–2027 dhe Planit të Veprimit 2023–2025, Maqedonia e Veriut ka krijuar themele të forta për integrimin e të rinjve në të gjitha aspektet e jetës shoqërore, me theks të veçantë në rolin e tyre në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit. Ne vazhdojmë bashkëpunimin tonë intensiv me partnerët ndërkombëtarë për të arritur qëllimet globale për paqe, siguri dhe barazi.
”Ky vit shënon 10 vjetorin e agjendës së Rinisë, Paqes dhe Sigurisë (RPS) dhe 25 vjetorin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë — piketa kryesore në avancimin e ndërtimit të paqes gjithëpërfshirëse dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Qëllimi i konferencës është të lehtësojë një shkëmbim ndër-rajonal të praktikave më të mira, përvojave dhe njohurive mbi zbatimin e agjendës RPS/GPS.
"Ne thjesht nuk mund të flasim për prosperitet, barazi, përfshirje dhe besim, përveç nëse çdo të riu dhe çdo gruaje u jepen mundësi të barabarta për të arritur potencialin e tyre të plotë", thotë Rita Columbia, Koordinatore rezidente e OKB-së. “Kur u jepet një shans, të rinjtë mund të kontribuojnë për të udhëhequr rrugën përpara. Prandaj, është e rëndësishme t'i fuqizojmë ata për të nxitur një përgjigje lokale, duke rindërtuar dhe ri-energjizuar komunitetet dhe vendet e tyre për zhvillim të qëndrueshëm."
Për Afrodita Shalja, Shefe e Zyrës në UNFPA, rajoni përballet me ndryshime dinamike demografike, duke përfshirë norma më të ulëta të lindshmërisë, rritje të emigracionit të të rinjve dhe një popullsi në plakje.

“Këto sfida demografike kërkojnë bashkëpunim multisektorial, sigurimin e stabilitetit financiar dhe ekonomik dhe promovimin e paqes, bashkëpunimit dhe stabilitetit politik. Si një partner kryesor për të rinjtë në rajon, UNFPA-ja mbështet zhvillimin e politikave, iniciativave të përbashkëta, ndërtimin e paqes, luftimin e gjuhës së urrejtjes, promovimin e përgjegjësisë, sundimin e ligjit dhe fuqizimin e të rinjve të ngrihen kundër dhunës", tha Shalja.
Anna Chernyshova, Zëvendës Përfaqësuese Rezidente e UNDP-së, beson se çelësi për të kapërcyer sfidat me të cilat përballen të rinjtë në rajon është të investojnë në arsim dhe kohezion social, duke ndërtuar gjithashtu besimin në institucione.
“Mbledhjet rajonale janë një platformë e mirë për shkëmbimin e praktikave më të mira, përvojave dhe njohurive. Do të jemi të lumtur të nxjerrim përfundime konstruktive që do të ndikojnë gjithashtu në politikat në rajon", tha Chernyshova.
“Sot jemi mbledhur për Pjesën dhe Sigurinë e të Rinjve dhe Grave, një temë për të cilën UNDP-ja punon në mënyrë aktive përmes aktiviteteve të ndryshme, veçanërisht të përqendruara në zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe gjininë. Shembuj të rëndësishëm janë mbështetja për krijimin e Strategjisë Kombëtare të të Rinjve 2023-2027, fuqizimi i të rinjve përmes programit të Vetëpunësimit dhe programit të Garancisë së të Rinjve, duke u përqëndruar në të rinjtë që janë pjesë e NEET (Jo në Arsim, Punësim ose Trajnim).“
Një qëllim tjetër i konferencës “Rrugët drejt rinisë, paqes dhe sigurisë dhe grave, paqja dhe siguria: Perspektivat rajonale, përvojat dhe njohuritë” është të shërbejë si një platformë për koordinim strategjik. Përveç të rinjve, konferenca mbledh përfaqësues nga familja e OKB-së, si dhe nga donatorë të tjerë dhe organizata ndërkombëtare.
Në projektin e përbashkët të OKB-së "Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim", në bashkëpunim, UNDP, UNFPA, UNESCO, UN Women dhe partnerët përkatës nga sektori publik, media, shoqëria civile, akademia dhe kultura, punojnë së bashku me të rinjtë për të rritur kuptimin dhe respektin për diversitetin në rajon, mbështetur financiarisht nga Fondi për Ndërtimin e Paqes i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.