08.08.2025

U miratua  Plani Kombëtar i Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve (2025–2029) - një hap sistemor për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve njofton se është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve për periudhën 2025–2029. Plani Kombëtar i Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve është krijuar me një qellim të qartë - avancimin e kushteve të jetesës së fëmijëve, duke u mundësuar atyre një të ardhme të shëndetshme, të sigurt dhe të lumtur. Nëpërmjet këtij plani, vendoset një bazë për mbrojtjen e të drejtave të tyre, krijimin e mundësive të barabarta dhe promovimin e zhvillimit të tyre në mjedise që inkurajojnë potencialet e tyre. Perspektiva e fëmijëve është në zemër të kësaj iniciative, duke u udhëhequr nga zërat, nevojat dhe aspiratat e tyre. Qëllimi i këtij dokumenti gjithëpërfshirës dhe multi-sektorial është krijimi i një mjedisi ku të drejtat e fëmijëve respektohen plotësisht, mbrohen dhe promovohen.

Dokumenti është rezultat i një procesi inkluziv dhe participativ të krijimit, në të cilin ishin përfshirë një numër i madh institucionesh shtetërore dhe organizatash qytetare, si dhe vetë fëmijët, zëri i të cilëve ishte pjesë thelbësore e procesit. Plani i veprimit është përgatitur me mbështetje nga projekti “Mbështetja e BE për qeverisje të ligjit” dhe në bashkëpunim me UNICEF-in.

Me miratimin e këtij dokumenti strategjik, shteti bën një hap të rëndësishëm në përmbushjen e obligimeve të marra ndaj Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve të OKB-së, si dhe në realizimin e Garancisë Evropiane për të Drejtat e Fëmijëve. Plani është plotësisht i harmonizuar me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2024–2044 dhe është pjesë e aktiviteteve të parapara me Udhërrëfyesin për qeverisje të Ligjit, miratuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në dhjetor 2023.

Komponentë veçanërisht e rëndësishme e Planit është iniciativa për krijimin e një mekanizmi kombëtar për koordinimin dhe monitorimin e zbatimit të tij, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve. Me këtë, do të formohet trup i specializuar për monitorimin e të drejtave të fëmijëve, i cili do të ketë detyrën të koordinojë zbatimin e Planit, por gjithashtu të sigurojë mbikëqyrje sistematike mbi zbatimin e Konventës për të drejtat e fëmijëve të OKB-së. 

Në këtë drejtim, Plani përgjigjet drejtpërdrejt edhe ndaj rekomandimeve të përfshira në Raportin e Skriningut dhe Raportin e avancimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së për vitin 2024, ku Komisioni Evropian vëren nevojën për një kapacitet institucional më të fuqishëm, dokumente strategjike dhe një mekanizëm funksional për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Me këtë Plan, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve konfirmon angazhimin e saj të fortë për krijimin e një shoqërie në të cilën çdo fëmijë është i mbrojtur, i dëgjuar dhe i përfshirë në vendimet që prekin jetën e tij.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.