13.08.2025

Sabriu, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë: “Shoh breza që nuk kanë frikë të tregojnë kush janë, çfarë ndiejnë dhe për çfarë ëndërrojnë

Sekretari Shtetëror nga radhët e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, me ftesë të Koalicionit “SEGA” dhe të Qendrës Rinore të Ohrit, ishte për vizitë në Qendrën Rinore të Ohrit, ku, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë – “12 Gushtit”, po mbahet “Java e Rinisë 2025”.

Në kuadër të programit të asaj dite, të rinjtë morën pjesë në shkollën verore të artit dhe në shkollën për kitarë, ndërkaq, aktiviteti qendror ishte “Masterclass” në regji dhe skenar, me regjisorin e ri Antonio Veljanoski, me ç’rast u  ndanë njohuritë dhe përvojat në fushën e artit filmik përmes sesionit praktik dhe frymëzues.

Duke ua uruar “Ditën Ndërkombëtare të Rinisë”, Sekretari i Shtetit, Sabriu, përçoi mesazhe të forta te të rinjtë.

“Gjatë gjithë javës, në kuadër të “Javës së Rinisë”, qyteti pulson sipas ritmit tuaj - ritmit të ngjyrave, të muzikës, të skenave dhe të ëndrrave tuaja. Në çdo goditje furçe që lë gjurmë në pëlhurë (kanavacë), në çdo akord të kitarës, në çdo lëvizje regjisoriale, shoh diçka më të madhe se arti. Shoh guxim. Shoh breza që nuk kanë frikë të tregojnë se kush janë, çfarë ndiejnë dhe për çfarë ëndërrojnë. Ju jeni dëshmi se rinia nuk përfaqëson vetëm numër vitesh – rinia është flaka, e cila e ndriçon rrugën tuaj dhe të të tjerëve përreth jush” - theksoi Sabriu.

Ai shtoi se Ministria është e hapur për mbështetjen e të gjithë të rinjve.

“Vazhdojmë të punojmë për t'i bërë qendrat rinore platforma për mësim, për krijim dhe për ndërlidhje. Ju inkurajoj - mos t’ju kënaqë gjithçka që ju ofrohet. Krijoni atë që mungon. Vizatoni dhe ngjyrosni botën, të cilën dëshironi ta shihni. Luajeni muzikën që dëshironi ta dëgjoni. Bëhuni regjisorë të së ardhmes suaj. Kjo javë është skena juaj. Këto ditë janë tregimi juaj. Ndërsa ne - do të jemi dëshmitarë dhe aleatë krenarë në çdo hap tuajin” -  tha Sabriu.

Ai shprehu mirënjohje ndaj Koalicionit “SEGA” dhe Qendrës Rinore të Ohrit, për ftesën dhe organizimin e eventeve që janë në frymën e kreativitetit të të rinjve.

Со еден клик до сите услуги
Uslugi.gov.mk
Кликни тука
-->
Kjo ueb faqe përmban "cookies" për të përmirësuar përvojën e shfrytëzuesve.

Nëse i pranoni kushtet, shtypni "Pajtohem". Më shumë Info.