Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Zëvendësministri Velkovski dhe Sekretari Shtetëror, Sabriu, morën pjesë në konferencën trepalëshe në Shkup për përfshirjen e personave me aftësi ndryshe, bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin në Ballkanin Perëndimor

Zëvendësministri Velkovski dhe Sekretari Shtetëror, Sabriu, morën pjesë në konferencën trepalëshe në Shkup për përfshirjen e personave me aftësi ndryshe, bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin në Ballkanin Perëndimor

Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski dhe Sekretari Shtetëror, Fatmir Sabriu, morën pjesë në konferencën trepalëshe kushtuar avancimit të përfshirjes së personave me aftësi ndryshe dhe të përforcimit të bashkëpunimit rajonal për zhvillim të qëndrueshëm. Konferencën e organizoi Instituti i Shoqatës për Zhvillimin e Komunitetit, në partneritet me Fondacionin “Preda Plus” dhe ADRF (Albanian disability rights foundation), si dhe me mbështetjen e organizatave partnere, në kuadër të iniciativës rajonale “Empowered”. Projekti financohet nga ana e Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim e Republikës Federale të Gjermanisë (BMZ).

Zëvendësministri Vellkovski, në fjalimin e tij hyrës, theksoi se Ministria, me mbështetjen e Qeverisë, është në qendër të transformimit thelbësor, nga një sistem shoqëror i fragmentuar në një sistem modern të të drejtave, të shërbimeve dhe të mundësive.

“Roli ynë është të ndërtojmë politika, të cilat prodhojnë autonomi, pjesëmarrje dhe jetë dinjitoze dhe cilësore. Për momentin, po punojmë në kuadrin e ri dhe gjithëpërfshirës për rehabilitimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi ndryshe, i cili për herë të parë prezanton model të bazuar në aftësinë për punë, në mbështetje dhe ne rezultate. Propozim-ligji parashikon edhe vendosjen e një sistemi kuotash për përfshirjen aktive të personave me aftësi ndryshe në sektorin publik dhe privat, si porosi e qartë se përfshirja nuk është opsion vullnetar, por detyrim sistemik” – theksoi  Vellkovski.

Ai tha se ligji i ri duhet të sjellë ndryshime jo vetëm në kontekstin institucional, por edhe në mënyrën e të menduarit, nga kultura e mbrojtjes drejt kulturës së pjesëmarrjes dhe të aktivitetit shoqëror, por edhe përgjegjësi.

“Paralelisht, me mbështetje të Bankës Botërore, e filluam procesin e krijimit të Sistemit Gjithëpërfshirës dhe të Integruar të Vlerësimit të Aftësisë Ndryshe, përmes së cilit do të ndërtojmë sistem, i cili i njeh barrierat funksionale që e krijojnë aftësinë ndryshe në bashkëveprim me shoqërinë” – tha mes tjerash, Vellkovski.
Në fund, e përmbylli me porosinë drejtuar të pranishmëve se përfshirja nuk është çështje e një resori, e një institucioni apo e një vendi. Ajo është projekt i përbashkët i të gjithë rajonit dhe detyrim i përbashkët i yni.

Në kuadër të konferencës, si panelist në pjesën mbi politikat e punësimit dhe të mbështetjes për punësimin e personave me aftësi ndryshe, foli Sekretari Shtetëror, Sabriu, i cili iu referua Ligjit të Punësimit të Personave me Aftësi Ndryshe, që aktualisht është në fuqi, dhe çfarë përfitimesh dhe rezultatesh sjell zbatimi i të njëjtit.
“Ligji i Punësimit të Personave me Aftësi Ndryshe ka krijuar mundësi reale pune për më shumë se 20 vjet. Përmes shoqërive mbrojtëse dhe masave mbështetëse, sot janë të punësuar rreth 5,000 persona, nga të cilët mbi 2,150 janë persona me aftësi ndryshe. Përmes Fondit të Posaçëm për Përmirësimin e Kushteve të Punësimit dhe të Punës së Personave invalidë, ndahen mjete të pakthyeshme për punësim, përshtatje të vendeve të punës, prokurim të pajisjeve dhe asistentëve të punës.

Vetëm në vitin 2025, përmes këtij fondi u paguan mbi 121 milionë denarë, duke përfshirë edhe kërkesat që nuk u realizuan në vitin paraprak. Nga ato mjete, për vitin aktual u ndanë 107 milionë denarë, nga të cilat mbi 53 milionë për punësim, që do të thotë 80 vende të reja pune për personat me invaliditet, dhe mbi 54 milionë për pajisje, të cilat kontribuan drejtpërdrejt për kushte më të mira pune dhe për produktivitet më të madh në shoqëritë mbrojtëse dhe te punëdhënësit” – shtoi më tej, Sabriu.

Ai potencoi se është koha për të ecur një hap më tej – nga punësimi i mbrojtur në atë të hapur, nga segregacioni drejt përfshirjes së plotë. Krahas kësaj, i prezantoi risitë me Propozim-ligjin e Rehabilitimit Profesional dhe Punësimit të Mbështetur dhe me Sistemin e ri të Vlerësimit të Personave me Aftësi Ndryshe.

“Po ndërtojmë Sistemin e ri të Vlerësimit si mekanizëm zhbllokim të potencialit, dhe jo etiketim të kufizimeve. Po largohemi nga modeli mjekësor dhe po lëvizim drejt qasjes së bazuar në të drejtat e njeriut, në përputhje me Konventën e të Drejtave të Personave me Aftësi Ndryshe. Në të njëjtën frymë, rehabilitimin profesional e shohim si urë ndërmjet potencialit njerëzor dhe të pjesëmarrjes ekonomike. Qëllimi ynë është punësimi i mbështetur, asistentët e punës, vendet e përshtatshme të punës, si dhe tranzicioni real në tregun e hapur të punës” - theksoi Sabriu.

Konferenca paraqet platformë të shkëmbimit të përvojave, të prezantimit të praktikave të mira dhe të përforcimit të partneriteteve ndërmjet organizatave dhe institucioneve nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, me qëllim nxitjen e dialogut rajonal dhe të veprimit të përbashkët drejt politikave dhe praktikave më gjithëpërfshirëse.

Accessibility Menu