DHUNA NDAJ GRAVE është shkelje e të drejtave të njeriut, diskriminim ndaj grave dhe u referohet të gjitha veprimeve të dhunës me bazë gjinore që rezultojnë, ose ka të ngjarë të rezultojnë në dëmtim ose vuajtje fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike të grave, duke përfshirë kërcënimet dhe frikësimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta për veprime të tilla, zhvatjen, kufizimin e paarsyeshëm dhe/ose heqjen e lirisë, pavarësisht nëse ndodhin në jetën publike apo private.
DHUNA ME BAZË GJINORE NDAJ GRUAS është dhunë e drejtuar kundër gruas sepse është grua ose e godet në mënyrë disproporcionale. Dhuna me bazë gjinore ndaj grave i përfshin shkaqet dhe rezultatin e marrëdhënies së pabarabartë të pushtetit ndërmjet grave dhe burrave si rezultat i problemit shoqëror, dhe jo i atij individual.
DHUNA NË FAMILJE është ngacmim, fyerje, kërcënim ndaj sigurisë, dëmtim trupor, dhunë gjinore ose dhunë tjetër psikologjike, fizike ose ekonomike, me të cilën shkaktohet ndjenjë e pasigurisë, e rrezikimit ose e frikës, duke përfshirë kërcënimet për veprime të tilla, ndaj bashkëshortit/es, prindërve ose fëmijëve ose personave të tjerë që jetojnë në bashkësi martesore ose jashtëmartesore ose në amvisëri të përbashkët, si dhe ndaj bashkëshortit/es aktual ose ish-bashkëshortit/es ose partnerit/es jashtëmartesor ose personave që kanë fëmijë të përbashkët ose janë në marrëdhënie të ngushtë personale, pavarësisht nëse kryerësi ndan ose ka ndarë të njëjtën banesë me viktimën apo jo.
DHUNA NGA PARTNERI INTIM është sjellje e bashkëshortit/partnerit aktual ose të mëparshëm që shkakton dhunë fizike, seksuale, psikike ose ekonomike.