Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Sabriu: Ndërmarrjet sociale janë fole e shpresës - vende ku kategoritë e cenueshme të qytetarëve marrin punë dhe mbështetje dinjitoze

Sabriu: Ndërmarrjet sociale janë fole e shpresës - vende ku kategoritë e cenueshme të qytetarëve marrin punë dhe mbështetje dinjitoze

Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, mori pjesë në eventin me titull: “Përforcimi i ndërmarrjeve sociale - event donatorësh”, të organizuar nga Agjencia e Inovacionit, Zhvillimit Shkencor Teknologjik dhe Sipërmarrjes “INOVA”, në bashkëpunim me Unionin e Odave Ekonomike të Republikës së Maqedonisë. Qëllimi i eventit ishte përforcimi i ndërmarrjeve sociale dhe ngritja e iniciativës për mbështetjen e sipërmarrjes sociale, si dhe rrjetëzimi ndërmjet sektorit të biznesit, institucioneve dhe iniciativave qytetare.

Përmes këtij eventi, kompanitë patën mundësinë të dhuronin për strehën e lejlekëve si pjesë e “The Country side”-it, përmes blerjes së bluzave dhe të kapeleve. Njëkohësisht, u prezantua edhe historia humane pas këtij projekti. Përmes donacioneve, u inkurajua mbështetja për mbrojtjen dhe kujdesin e lejlekëve, si dhe ruajtja e natyrës.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Sabriu theksoi qëllimin e përbashkët – përforcimin e idesë për ndërmarrje sociale, si dhe të tregohet se ekonomia mund të jetë urë ndërlidhëse  e përfitimit dhe e njerëzimit,ndërmjet rritjes dhe solidaritetit.

“Ndërmarrjet sociale nuk janë vetëm persona juridikë. Ato janë ura të gjalla ndërmjet margjinave dhe qendrës së shoqërisë. Ato janë zëri i atyre që shpesh mbeten pa zë - personat me aftësi ndryshe, të rinjtë e papunë, prindërit vetushqyes, refugjatët, viktimat e dhunës. Ato janë platformë e shpresës, e aktivizimit, e jetës dinjitoze” - tha Sabriu.

Ai theksoi se sipërmarrja sociale është prioritet strategjik për Ministrinë. Krahas kësaj, informoi se Propozim-ligji i Ndërmarrjeve Sociale është në procedurë qeveritare dhe pritet ,që në gjysmën e parë të 2026-ës, ta kalojë procedurën parlamentare dhe të miratohet.

“Ky Ligj ka qëllim të qartë - të krijojë kuadër ligjor dhe financiar për zhvillimin e ndërmarrjeve sociale, të cilat veprojnë në mënyrë transparente, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Ato veprojnë në fusha të tilla si punësimi i kategorive të cenueshme, ofrimi i shërbimeve sociale, aktivitetet mjedisore dhe iniciativat kulturore. Por më e rëndësishmja: Ligji i vë në qendër njerëzit. I njeh kategoritë e cenueshme të qytetarëve si pjesëmarrës dhe përfitues kryesorë” - tha mes tjerash, Sabriu.

Ai iu referua simbolikës së lejlekëve, për të cilët tha se nuk janë vetëm shpendë, por janë simbol i jetës, i natyrës që duhet ta ruajmë, i shpresës që duhet ta çmojmë.

“Ndërmarrjet sociale janë ato fole të shpresës. Ato janë vendet ku njerëzit fitojnë shansin e dytë, ku të rinjtë mësojnë dhe zhvillohen, ku kategoritë e cenueshme të qytetarëve marrin punë dhe mbështetje dinjitoze” - potencoi Sabriu.

Accessibility Menu