Me rastin e "Ditës së Familjeve Kujdestare", zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot mori pjesë dhe u mbajti fjalim në ngjarjen e organizuar nga IP “11 Tetori” – Shkup, e cila u mbajt në Kopshtin Zoologjik të Shkupit.
Në fjalimin e tij, zëvendësministri Vellkovski theksoi rëndësinë e familjeve kujdestare në sigurimin e mjedisit familjar të sigurt, të ngrohtë dhe mbështetës për fëmijët dhe personat, të cilëve u nevojitet kujdes shtesë.
“Të jesh kujdestar nuk është vetëm detyrë, por thirrje për të hapur zemrën dhe për të krijuar ndjenjën e përkatësisë dhe sigurisë për dikë që i nevojitet më së shumti. Roli juaj në shoqëri është me rëndësi të paçmuar dhe falë përkushtimit tuaj, shumë fëmijë kanë mundësinë të rriten në mjedis të mbushur me dashuri, kujdes dhe vëmendje” - theksoi Vellkovski.
Ai, gjithashtu u bëri thirrje të gjithë qytetarëve humanë që kanë dëshirë dhe mundësi të ndihmojnë, të mendojnë për përfshirje në sistemin e kujdestarisë dhe t’u japin mbështetje fëmijëve që përballen me sfida jetësore.
Zëvendësministri theksoi se Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve mbetet fuqimisht e përkushtuar në përmirësimin e sistemit të kujdestarisë, në ofrimin e mbështetjes më të madhe për familjet kujdestare, si dhe në krijimin e kushteve që çdo fëmijë të rritet në mjedis të sigurt dhe mbështetës.
Në fund të fjalimit të tij, Vellkovski shprehu falënderim të sinqertë ndaj të gjitha familjeve kujdestare për sakrificën, durimin dhe dashurinë e tyre të pakushtëzuar, duke theksuar se ato përfaqësojnë shembull humaniteti dhe frymëzim për gjithë shoqërinë.