Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot mori pjesë në takimin e parë të Komitetit të Përbashkët Drejtues (KPD) për Kornizën e Bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara me Republikën e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2026–2030.
Në takim bashkëkryesuan ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Rita Kolumbia.
Në takim u prezantuan rezultatet e realizuara gjatë vitit 2025 me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, si dhe Plani i Përbashkët i Punës për vitin 2026. Pjesëmarrësit diskutuan edhe mbi harmonizimin e prioriteteve kombëtare me Kornizën e Bashkëpunimit për periudhën 2026–2030.
Në fjalimin e tij, zëvendësministri Vellkovski theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë demografike, të mundësive të barabarta për çdo fëmijë, si dhe të barazisë gjinore, si prioritete strategjike të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve.
“Në partneritet me agjencitë e Kombeve të Bashkuara po punojmë në finalizimin e Strategjisë për Qëndrueshmëri Demografike 2026–2046, e cila duhet të ofrojë zgjidhje afatgjata për sfidat e ndërlidhura me zvogëlimin e popullsisë, emigrimin e të rinjve dhe plakjen e popullsisë. Qëllimi ynë është të krijojmë kushte që të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Maqedoni”- theksoi Velkovski.
Ai shtoi se Ministria, paralelisht, po punon edhe në përgatitjen e Planit Kombëtar të Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët 2026–2030, me qëllim sigurimin e qasjes më të mirë në arsim, në kujdes shëndetësor, si dhe në mbrojtje sociale për çdo fëmijë, me fokus të veçantë te kategoritë më të cenueshme.
Për më tepër, Ministria mbetet e përkushtuar në avancimin e barazisë gjinore, në fuqizimin ekonomik të grave, si dhe në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.
Në takim u theksua se mbështetja dhe partneriteti me Kombet e Bashkuara kanë rol të rëndësishëm në hartimin dhe në zbatimin e politikave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, fëmijët dhe familjet.