Me qëllim që të përforcohen zërat e grave të reja si nxitëse të ndryshimeve dhe të theksohen përparimi dhe sfidat në fushën e barazisë gjinore, Dita Ndërkombëtare e Gruas u shënua me një sërë aktivitetesh, të cilat theksuan nevojën për rikonfirmimin e përkushtimeve të përbashkëta për barazi gjinore, drejtësi dhe veprim.
Eventi, i organizuar bashkërisht nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe Kombet e Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, është pjesë e aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas 2026, e cila në nivel global shënohet me moton “Të drejta. Drejtësi. Aksion për të gjitha gratë dhe vajzat.”
Eventi kishte për qëllim të promovojë lidershipin e grave në Maqedoninë e Veriut përmes hapjes së çështjeve që i prekin gratë e reja në përpjekjet e tyre për role udhëheqëse, ndarjes së përvojave të grave lidere aktuale, si dhe promovimit të rrjetit të mentorimit për gratë e reja.
Sekretari shtëtror i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Sabriu, në fjalimin e tij iu referua tragjedisë së fundit që tronditi të gjithë shoqërinë dhe, siç tha ai:”pas asaj tragjedie qëndrojnë shumë pyetje – për sistemin, për dhunën, për përgjegjësinë e institucioneve, por edhe për përgjegjësinë e çdo individi”. Ai theksoi se ky 8 Mars nuk është vetëm një ditë urimesh dhe festimi, por edhe një simbolikë që të ndërtohet sistemi që do të funksionojë, si dhe individë që do të mbajnë përgjegjësi personale dhe shoqërore. Krahas kësaj, iu referua edhe rregullativës në shtet, e cila i adreson përgjigjet e sfidave në këtë fushë.
“Kemi bërë hapa të rëndësishëm në luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Miratuam Ligjin e Parandalimit dhe Mbrojtjes nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, përforcuam dispozitat penale me përkufizim të qartë të dhunës me bazë gjinore dhe vendosjen e veprave të reja penale, si dhe përgatitëm Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna me Bazë Gjinore dhe Dhuna në Familje 2026–2033, e cila do të kontribuojë për një sistem më të qartë, më të koordinuar dhe më të përgjegjshëm. Paralelisht, vendosëm shërbime shumësektoriale për mbështetjen e viktimave dhe investuam në rritjen e ndërgjegjësimit publik. Por, ligjet dhe institucionet janë vetëm një pjesë e zgjidhjes – ndryshimi i vërtetë fillon me përgjegjësinë e secilit individ”- theksoi Sabriu.
Përmes përforcimit të zërave të grave të reja si nxitëse të ndryshimeve, dialogu synon t’i frymëzojë ambiciet e tyre për lidership, t’i ndërlidhë reformat me procesin e fuqizimit të grave, si dhe t’i rikonfirmojë përkushtimet e përbashkëta për barazi gjinore, drejtësi dhe veprim.
“Si universiteti më i vjetër dhe më i madh në vend, UKIM-i ka përgjegjësi të veçantë. Përmes arsimit nuk formësojmë vetëm rrugët profesionale të studentëve, por edhe sistemin e vlerave të shoqërisë” - theksoi rektorja prof. dr. Biljana Angellova.
Për Rita Kolumbian, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, gratë e reja mund të udhëheqin ndryshime transformuese, të nxisin inovacione dhe të jenë lidere publike në komunitetet e tyre dhe në shoqëri në tërësi. Megjithatë, për shekuj me radhë gratë përballen me barriera dhe me sfida në realizimin e ëndrrave dhe qëllimeve të tyre.
“Në shekullin e 21-të, gratë dhe vajzat nuk duhet të përballen me pengesa ligjore apo sistemore për të realizuar potencialin e tyre. Vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat duhet të kenë mundësi të barabarta; megjithatë, vajzat dhe gratë kanë nevojë për mbështetje më të fortë nga shoqëria për t’i shfrytëzuar mundësitë, derisa barazia gjinore të bëhet plotësisht dhe pa kushte e pranuar. Siç tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh: ‘Barazia gjinore i ngrit shoqëritë. Kur pushteti ndahet, liria zgjerohet’” - deklaroi Kolumbia.
Më shumë se 100 të rinj, përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, profesorë universitarë, përfaqësues të sektorit civil, si dhe përfaqësues të Kombeve të Bashkuara dhe të komunitetit diplomatik, morën pjesë në dialogun e nivelit të lartë kushtuar grave të reja dhe grave lidere, i cili u mbajt sot në Rektoratin e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Legjislacioni, siç është ai që rrjedh nga Konventa e Stambollit, është thelbësor për sigurimin e mbrojtjes, të fuqizimit dhe të drejtësisë për gratë dhe vajzat. Por, të gjithë ne, kemi detyrim të përbashkët, të sigurojmë zbatimin e tij të vazhdueshëm, që të gjitha gratë dhe vajzat të mund ta realizojnë potencialin e tyre dhe të jenë nxitëse të ndryshimeve shoqërore. Ky është konluzioni i eventit të mbajtur sot në Shkup, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.