Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, sot mori pjesë në prezantimin e gjetjeve dhe të rekomandimeve të Raportit të vlerësimit për zbatimin e Strategjisë së Përfshirjes së Romëve 2022–2030, organizuar nga Ministri pa resor, i ngarkuar për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë së Përfshirjes së Romëve 2022–2030, Shaban Saliu, me mbështetjen e projektit “Mbështetje për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut”, financuar nga Mbretëria e Suedisë, Konfederata Zvicerane dhe Ministria e Çështjeve Evropiane, ndërsa zbatuar nga “United Nations Office for Project Services (UNOPS)”. Prezantimi u bë nga ana e ekspertit të UNOPS-it.
Eventi kishte për qëllim ngritjen e dialogut në nivelin më të lartë politik dhe diplomatik, përmes përfshirjes së vendimmarrësve dhe të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, ambasadorë, organizata ndërkombëtare dhe donatorë të përkushtuar në mënyrë aktive në avancimin e përfshirjes së romëve.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Limani iu referua ca pikave kyçe, në të cilat Ministria punon në vazhdimësi, si dhe në rezultatet e asaj pune.
“Arsimi është fusha ku shënojmë përparimin më konkret. Nga viti 2006 deri në vitin 2025, rreth 5.500 fëmijë romë janë përfshirë në arsimin parashkollor, ndërsa në vitin shkollor 2025/2026 janë regjistruar 526 fëmijë në nivel kombëtar. Në 21 komuna, fëmijët e familjeve në rrezik social u liruan nga participimi, ndërsa në 20 komuna janë angazhuar ndërmjetës arsimorë për rritjen e ndërgjegjësimit dhe të mbështetjes për arsimin e hershëm” – informoi Limani.
Në pjesën e regjistrimit civil, ai theksoi se është bërë hap i rëndësishëm drejt realizimit të të drejtave themelore të njeriut. Nga 526 persona të evidentuar pa dokumentacion, rreth 450 kanë marrë certifikatë nga libri amë i të lindurve, 115 dokument personal identifikimi, ndërsa për të tjerët procedura është në rrjedhë e sipër.
Në fushën e strehimit, Ministri theksoi se për herë të parë shteti do të ketë Ligj të Strehimit Social, i cili në muajin mars hyn në procedurë qeveritare, me koordinim të Ministrisë dhe mbështetje të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare.
Limani tha se përmes IPA II dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian janë financuar 5 projekte në vlerë prej 4,5 milionë euro në 8 komuna, për përmirësimin e kushteve të strehimit dhe të infrastrukturës për kategoritë më të cenueshme, si dhe se është në përgatitje edhe kontrata e re për shërbime në kuadër të IPA 2024.
“Ministria në mënyrë sistematike integron qasjen e ndjeshme gjinore në politikat për romët, në përputhje me Strategjinë 2022–2030 dhe Planin e Veprimit për Gruan Rome. Me mbështetjen e OSBE-së është përgatitur Analiza e Statusit të Grave Rome dhe Raporti i Vlerësimit 2022–2024. Politikat tona janë të orientuara drejt fuqizimit të gruas rome, përmes adresimit të diskriminimit të dyfishtë dhe sigurimit të mundësive të barabarta” – shtoi mes tjerash, Limani.
Në fund, porositi se statusi i cenueshëm i romëve kërkon angazhim të koordinuar dhe afatgjatë nga të gjithë aktorët e përfshirë – Qeveria, ministritë kompetente, sektori civil, si dhe bashkësia ndërkombëtare – duke shtuar se angazhimi i të gjithë aktorëve vazhdon në drejtim të sigurimit të jetës dinjitoze për të gjithë qytetarët.