Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot mori pjesë në hapjen solemne të Qendrës së Kujdesit Ditor për Personat me Aftësi të Kufizuara me Punë Individuale “Ajnshtajn”, së bashku me kryetaren e Komunës së Kisella Vodës, Beti Stamenkovska Trajkovska.
Bëhet fjalë për një shërbim social modern dhe i specializuar i destinuar për punë individuale me fëmijë dhe të rinj me vështirësi të ndryshme zhvillimore, intelektuale dhe në të folur. Qendra do të ofrojë shërbime sociale në komunitet - kujdes ditor dhe mbështetje individuale për fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara, duke krijuar kështu kushte më të mira për përfshirjen, zhvillimin dhe jetën e tyre dinjitoze.
Qendra ditore u krijua nga Shoqata e Disleksisë “Ajnshtajn” dhe Komuna e Kisella Vodës, në kuadër të projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, realizuar me mbështetjen e Bankës Botërore.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve punon vazhdimisht për zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve sociale duke lidhur marrëveshje administrative me ofruesit e shërbimeve sociale, me qëllim që shërbimet të jenë më të arritshme dhe me cilësi më të lartë për të gjithë qytetarët.
Në fjalimin e tij, zëvendësministri Vellkovski theksoi se Ministria mbetet e përkushtuar për krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës dhe të arritshëm të mbrojtjes sociale që ofron mundësi të barabarta dhe kujdes të përshtatshëm për të gjithë qytetarët.