Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, sot realizoi takim protokollar me ambasadoren e Republikës së Sllovakisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Iveta Hricova.
Në takim u konfirmuan marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy vendeve, si dhe gatishmëria për avancimin e bashkëpunimit në fushat e politikës sociale, demografisë dhe të rinjve.
Bashkëbiseduesit diskutuan për trendet demografike që në Maqedoninë e Veriut tregojnë ulje të vazhdueshme të natalitetit, shtim natyror negativ, plakje të popullsisë dhe emigrim të shtuar të të rinjve dhe kuadrove të afta për punë, si dhe ndikimin e tyre në krijimin e sfidave afatgjata për tregun e punës, sistemin pensional, zhvillimin rajonal dhe kohezionin social.
Në takim u konstatua se edhe Maqedonia e Veriut edhe Sllovakia përballen me trendet evropiane të plakjes së popullsisë dhe rënies së natalitetit.
Ministri Limani foli për angazhimin e Qeverisë dhe të Ministrisë në krijimin e politikave të orientuara drejt mbështetjes së familjeve, të rinjve, sigurisë sociale dhe ruajtjes së kapitalit njerëzor, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave të mira evropiane në fushën e politikave demografike.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për sfidat aktuale dhe mundësitë për aktivitete dhe iniciativa të përbashkëta, duke pasur parasysh se Sllovakia, si anëtare e BE-së, ka mekanizma të zhvilluar për politikën familjare, zhvillimin rajonal dhe ruajtjen e fuqisë punëtore, gjë që mund të shërbejë si bazë për shkëmbimin e praktikave të mira dhe bashkëpunimin institucional.