Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Vellkovski: Çdo fëmijë meriton shans të barabartë – mbështetje për 200 fëmijë me çanta dhe mjete shkollore

Vellkovski: Çdo fëmijë meriton shans të barabartë – mbështetje për 200 fëmijë me çanta dhe mjete shkollore

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot, pak para fillimit të vitit të ri shkollor, u shpërndau çanta dhe mjete shkollore rreth 200 fëmijëve nga Shtëpia për Fëmijë “11 Tetori” dhe Fshati i Fëmijëve “SOS”, të siguruara përmes donacionit nga kompania me përgjegjësi shoqërore.

Ky donacion është shembull konkret se humanizmi, solidariteti dhe përgjegjësia shoqërore mund të bëjnë ndryshim të vërtetë në jetën e fëmijëve dhe t’u mundësojnë fillimin e vitit të ri shkollor me motivim dhe vetëbesim të ri.

“Çdo fëmijë meriton shans të barabartë. Pavarësisht se ku rritet dhe a është i përkujdesur në shtëpi të vogël grupore apo në familje kujdestare, çdo fëmijë duhet të ndiejë se është njësoj i rëndësishëm, i vlefshëm dhe i mbështetur. Kujdesi ynë si institucione nuk duhet të jetë vetëm detyrim, por edhe përgjegjësi njerëzore. Kështu që, e vlerësojmë posaçërisht mbështetjen e kompanive me përgjegjësi shoqërore, të cilat e njohin nevojën për të qenë pjesë e krijimit të kushteve më të mira për fëmijët” - tha ministri Vellkovski.

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve punon me përkushtim në përmirësimin e kujdesit dhe të mbështetjes për fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët e përkujdesur në shtëpi të vogla grupore dhe fëmijët e përkujdesur në familje kujdestare, me qëllim që çdo fëmijë të ketë mjedis të sigurt për rritje, zhvillim dhe arsimim.

Për momentin, në vend ka mbi 380 familje kujdestare, në të cilat janë të përkujdesur rreth 665 përfitues. Kjo tregon rolin e rëndësishëm të familjeve kujdestare në sigurimin e shtëpisë së sigurt dhe mbështetëse për fëmijët, të cilëve u nevojitet kujdesi.

Kujdesi për fëmijët është përgjegjësi e përbashkët. Institucionet, kompanitë dhe e gjithë shoqëria kanë mundësinë, secili në fushën e vet, të kontribuojnë në krijimin e mundësive të barabarta për çdo fëmijë.

Ministria shpreh mirënjohje ndaj kompanisë donatore për njohjen e nevojave të fëmijëve dhe për mbështetjen konkrete. Ky shembull tregon se kur përgjegjësia shoqërore shndërrohet në vepra konkrete, përfitimi më i madh shkon aty ku nevojitet më shumë – te fëmijët.

Accessibility Menu