Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, së bashku me kryetarin e Komunës së Gjevgjelisë, Andon Saramandov, dhe sekretarin e përgjithshëm të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sait Saiti, sot morën pjesë në hapjen e Qendrës për Qëndrim Ditor të Personave të Moshuar me Plakje Aktive në këtë Komunë.
Qendra është vendosur në Komunën e Gjevgjelisë përmes projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Aplikues është Komuna e Gjevgjelisë, ndërsa ofrues i shërbimit është Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut – Organizata Komunale e Gjevgjelisë.
Me vendosjen e Qendrës do të ofrohet shërbim social i qasshëm, cilësor dhe i vazhdueshëm në komunitet, i dedikuar për personat mbi 65 vjeç, veçanërisht për ata që jetojnë vetëm ose me bashkëshortin/bashkëshorten, janë të ekspozuar ndaj rrezikut të vetmisë dhe izolimit social ose kanë nevojë për mbështetje ditore, shoqërim dhe mënyrë aktive jetese. Qendra ka kapacitet për 50 përfitues dhe do të funksionojë pesë ditë në javë. Aktivitetet do të organizohen në përputhje me nevojat, mundësitë dhe interesat individuale të përfituesve.
Në kuadër të Qendrës do të realizohen aktivitete sociale, kulturore, edukative, kreative, rekreative dhe shëndetësore-parandaluese, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës, ruajtjen e funksionalitetit, nxitjen e plakjes aktive dhe përfshirjen më të madhe të personave të moshuar në komunitetin lokal.
“Qëllimi ynë është që shërbimet sociale të jenë sa më pranë qytetarëve dhe të krijojmë kushte që çdo person, pavarësisht moshës, të ketë mundësi për jetë dinjitoze, aktive dhe cilësore. Qendrat e këtij lloji janë të rëndësishme sepse nuk ofrojnë vetëm qëndrim ditor, por krijojnë hapësirë për shoqërim, aktivitete, mbështetje dhe rilidhje me komunitetin” - theksoi ministri Vellkovski.
Qendra disponon me hapësirë tërësisht të pajisur dhe funksionale, me ambiente për shoqërim, pushim dhe aktivitete në grup, kuzhinë tërësisht të pajisur, si dhe kushte për lëvizje të sigurt të përfituesve.