Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot mbajti fjalim me rastin e hapjes së Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Autizmin 2026 – “Përmes prizmit”, e cila mbahet nga 18 deri më 20 nëntor në Shkup, në organizim të Fondacionit “Dr. Verica Mehanxhiska”.
Konferenca bashkon ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas, hulumtues, profesionistë të shëndetësisë dhe të arsimit, përfaqësues të institucioneve, persona me autizëm, vetëpërfaqësues dhe familjet e tyre, me qëllim shkëmbimin e njohurive, të përvojave dhe të praktikave të mira për avancimin e cilësisë së jetës dhe mundësive të personave me autizëm.
Në fjalimin e tij, ministri Vellkovski theksoi se autizmi nuk duhet të shihet si pengesë për të mësuarit, zhvillimin dhe pjesëmarrjen aktive në komunitet, por se është detyrim i institucioneve të njohin aftësitë dhe nevojat individuale dhe të krijojnë kushte për realizimin e tyre të plotë.
„Kjo Konferencë nuk duhet të jetë vetëm vend për shkëmbimin e mendimeve dhe të përvojave profesionale. Ajo duhet të jetë thirrje për ndryshime, për kujdes më të madh, për shërbime më cilësore dhe për krijimin e një shoqërie, në të cilën çdo fëmijë dhe çdo person do të ketë mundësinë të zhvillojë potencialin e vet”, tha Vellkovski.
Duke iu referuar nevojës së planifikimit sistemik dhe krijimit të politikave të bazuara në të dhënat relevante, ministri theksoi rëndësinë e vendosjes së regjistrit kombëtar të personave me autizëm, i cili do të mundësojë përcaktimin më të mirë të nevojave, planifikimin e shërbimeve dhe shpërndarjen e duhur të resurseve.
“Pa të dhëna të sakta dhe të sistematizuara, vështirë mund të planifikojmë politika përkatëse, të përcaktojmë shërbimet e nevojshme, të shpërndajmë resurset, si dhe të sigurojmë mbështetje në kohë për çdo familje”- shtoi mes tjerash, ministri.
Vellkovski nënvizoi se përmes Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, funksionojnë dy qendra të specializuara ditore për fëmijët me autizëm – në Shkup dhe në Shtip. Krahas tyre, në rrjetin e qendrave ditore për qëndrim ditor janë të përfshirë mbi 450 përfitues nga kategori të ndryshme të aftësisë së kufizuar.
Ministri theksoi se është i domosdoshëm avancimi i vazhdueshëm i kapaciteteve profesionale për identifikimin e hershëm të shenjave të autizmit, zhvillimi i arsimit gjithëpërfshirës me kuadër të përshtatshëm mësimor dhe asistentë arsimorë, si dhe sigurimi i mbështetjes më të madhe për familjet, të cilat çdo ditë përballen me sfida të shumta sociale dhe ekonomike.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, mbetet e përkushtuar në avancimin e sistemit të mbështetjes sociale dhe zhvillimin e shërbimeve gjithëpërfshirëse, përmes bashkëpunimit të koordinuar me institucionet, shërbimet profesionale, organizatat e shoqërisë civile dhe familjet. Qëllimi është të krijohet sistemi, i cili do të njohë aftësitë e çdo personi, do të respektojë nevojat individuale, si dhe do të sigurojë mbështetje dhe mundësi të barabarta për një jetë dinjitoze, të pavarur dhe aktive në shoqëri.