Me rastin e 20 Nëntorit – “Ditës Botërore të Fëmijëve”, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot mori pjesë në ngjarjen “I biem ziles për fëmijët”, me moton “Të zgjedhim të ardhme më të mirë për fëmijët: fillim i fuqishëm për çdo fëmijë”.
Së bashku me ministren Vesna Janevska, përfaqësues të Bursës së Maqedonisë, të UNICEF-it, të komunitetit të biznesit, të institucioneve dhe partnerëve zhvillimorë, ministri përcolli mesazhin se kujdesi për fëmijët, respektimi i të drejtave të tyre dhe sigurimi i mundësive të barabarta janë përgjegjësi e përbashkët e të gjithë shoqërisë.
Në fjalimin e tij, Vellkovski theksoi se çdo fëmijë meriton fëmijëri të sigurt dhe cilësore, qasje në arsim, kujdes të përshtatshëm dhe mundësi për ta zhvilluar potencialin e tij të plotë, pavarësisht rrethanave familjare dhe atyre sociale.
Ai nënvizoi se Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, mbetet e përkushtuar në zgjerimin e rrjetit të kopshteve për fëmijë, rritjen e përfshirjes së fëmijëve në përkujdesjen dhe edukimin parashkollor, si dhe avancimin e cilësisë së shërbimeve. Në partneritet me UNICEF-in, po punohet edhe në zhvillimin e programit të ri për mësim dhe zhvillim të hershëm, me të cilin do të krijohen kushte më të mira për zhvillimin dhe të nxënit në fëmijërinë e hershme.
Vëmendje e veçantë u kushtohet fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fëmijëve nga familjet e cenueshme, me qëllim sigurimin e mjedisit gjithëpërfshirës dhe të mundësive të barabarta për çdo fëmijë.
„Detyrimi ynë nuk është vetëm të sigurojmë kushte për përkujdesje dhe arsimim, por të krijojmë shoqëri, në të cilën çdo fëmijë do të jetë i pranuar, i mbrojtur, i mbështetur dhe do të ketë mundësi të përparojë. Vitet e para të jetës janë themeli i zhvillimit të mëtejshëm, andaj investimi në fëmijërinë e hershme është investim në të ardhmen e të gjithë shoqërisë” – shtoi Vellkovski.
Ministri përshëndeti bashkëpunimin ndërmjet Bursës së Maqedonisë dhe UNICEF-it, duke theksuar se krijimi i kushteve më të mira për fëmijët kërkon pjesëmarrje aktive dhe partneritet ndërmjet institucioneve, pushtetit lokal, komunitetit të biznesit dhe sektorit civil.
Në fund, Vellkovski tha se nevojat, të drejtat, ëndrrat dhe mendimet e fëmijëve duhet të jenë në qendër të çdo politike dhe vendimi që i prek ata.
„Fëmijët nuk janë vetëm e ardhmja jonë, ata janë e tashmja jonë. Prandaj, çdo vendim i yni sot, duhet të kontribuojë për një fëmijëri më të lumtur, më të sigurt dhe më cilësore. Qëllimi ynë është që çdo fëmijë të ketë fillim të fuqishëm, mundësi të barabarta dhe shansin për të ndërtuar të ardhmen e tij” - u shpreh ministri Vellkovski.